Një nga ish-themeluesit e PD, Arben Imami, kërkon ndërhyrjen e Sali berishës, në mënyrë që PD të mos ketë një humbje skandaloze sipas tij në zgjedhjet e ardhshme. Në studion e ABC News, Imami thotë se PD ka nevojë të bashkohet e këtë nuk e bën dot Lulzim Basha.
Arben Imami i ftuar në studion “Mbrëmje në ABC News” me Mirela Milorin ka folur për sfidat e Partisë Demokratike në situatën që gjendet sot. Për ish deputetin demokrat zgjidhja e vetme është bashkimi dhe dorëheqja e Lulzim Bashës.
“Një kryetar që nuk e ngre dot partinë, në këto kushte duhet bërë bashkë. Basha duhet të japë dorëheqjen dhe jo ngrirje shkrije për shkak të situatës ë rëndë”-u shpreh Imami.
Ish –deputeti demokrat fajësoi kreun aktual Lulzim Basha që kjo forcë politike që prej vitit 2013 ka ardhur në rënie dhe kjo sipas tij është shumë e rrezikshme.
“Partia Demokratike prej vitit 2013 ka ardhur në rënie dhe kjo është shumë e rrezikshme. Lulzim Basha po e zhyt më thellë PD dhe kjo parti në zgjedhjet e ardhshme mund të marrë nën 20 %. Basha mesa duket do të vazhdojë në këtë rrugë dhe do sjellë mbylljen e Partisë Demokratike. Bashkimi është rruga e vetme për ta shpëtuar PD, shansi i fundit janë zgjedhjet e ardhshme”- deklaroi Imami.
Përsa i takon financimeve të lobimit, Imami tha se ka pikëpyetje të mëdha, por nëse Basha ka firmosur një kontratë lobimi me financim rus kjo gjë i përket atij dhe nuk e përfshin PD-në.
I pyetur për Berishën, Imami tha se është i vetmi personalitet brenda demokratëve që qëndron mbi palët.
“I vetmi njeri që qëndron mbi palët është Berisha. Ka nevojë për një ndërhyrje, dikush tek i cili kanë garanci të gjitha palët. Berisha është personaliteti më i rëndësishëm aty, është personaliteti që nëse dështojnë të gjitha mjetet, mbase duhet të gjejë një rrugë pozicioni për të ndikuar më mirë në këtë proces. Se si, kjo është çështje e tij“, tha Arben Imami./abcnews.al