Shkodër, qeveria kërkon bashkërendim/Ademi: Refuzoi emergjencën

schedule15:45 - 21 Mars, 2018

schedule 15:45 - 21 Mars, 2018

Zv/ kryeministrja Senida Mesi tha sot se situata në Shkodër është nën kontroll dhe po menaxhohet orë pas ore. Por në një reagim, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi njoftoi bashkëqytetarët e saj se qeveria ka refuzuar shpalljen e emergjencës në këtë qark.

“Të dashur banorë të zonave të përmbytura të Bashkisë së Shkodrës. Jam e detyruar t’u jap një lajm jo të mirë: Qeveria shqiptare e refuzoi zyrtarisht kërkesën tonë për shpalljen e emergjencave civile. Këmbëngulja jonë 15 ditore, rezoluta unanime e Këshillit Bashkiak të Shkodrës fatkeqësisht nuk u morën parasysh nga qeveria në Tiranë”.

Kryebashkiakja e Shkodrës thotë se u detyrua ta japë këtë lajm të trishtë pas prononcimit të zëvendëskryeministres Senada Mesi.

 “Më e keqja është se këtë përgjegjësi të rëndë refuzuese të një të drejte legjitime të banorëve në zonat e përmbytura, ia lanë një bashkëqytetareje, e zgjedhur deputete edhe me votat tuaja. Këtë herë Shkodrën qeveria ka vendosur ta dënojë duke përdorur një shkodrane dhe kjo, të gjithëve ne, na lë një shije të keqe”.

Numri dy i qeverisë mblodhi Komitetin e Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave për të marrë të tjera vendime për të menaxhuar situatën në shërbim të banorëve.

“Vendosëm: Të shtojmë furnizimin me bazë ushqimore për banorët dhe uji të pijshëm. Edhe pse ujësjellësi funksionon në disa zona të prekura, është më mirë të mos përdoret. Të shtojmë furnizimin me bazë ushqimore për gjënë e gjallë. Të shtojmë forcat në terren për tu ardhur në ndihmë banorëve sipas nevojave të tyre. Në këtë moment është e rëndësishme manaxhimi i situatës me të gjitha kapacitetet në dispozicion. Në fazën e rekuperimit është shumë e rëndësishme të evidentojmë dëmet dhe pasojat dhe të marrim masat për parandalim të mëtjeshëm”.

Ky vendim për kryetaren e Bashkisë së Shkodrës është një tjetër konfirmim i trajtimit diskriminues që qeveria i bën Shkodrës dhe qytetarëve të saj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!