Lazio nuk heq dorë nga Marash Kumbulla dhe po bën çmos për ta blerë mbrojtësin e kombëtares shqiptare. Tuttosport raporton se Igli Tare po mundohet ta bëjë pjesë të lacialëve 20-vjeçarin që ka spikatur te Hellas Verona në sezonin e parë në Serie A.
Rivaliteti për shërbimet e tij është i madh, pasi së fundmi në skenë ka dalë edhe Arsenal. Inter dhe Napoli gjithashtu mbeten në garë, ndërkohë që për t’u përmendur është shifra prej 30 milion eurosh që klubi nga Verona kërkon për shërbimet e djaloshit nga Malësia e Madhe.
Edhe për paratë Lazio duket se po e gjen zgjidhjen. Çelësi është shitja e Adam Marusic, mbrojtësit të djathtë të Malit të Zi. Klubi italian e vlerëson me 20 milion euro kartonin e tij dhe PSG raportohet se interesohet për të. Shitja e Marusic çon në arkat e Lazio një pjesë të mirë të parave për të blerë Kumbullën. /abcnews.al