KOSOVË– Qeveria e Kosovës ka themeluar grupin punues për çështjen e Apelit në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Kransiqit.
Kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë, bëri të ditur se grupi do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
“Siç kemi theksuar edhe më parë, për këtë duhet një strategji shtetërore e kombëtare, një organizim që i tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një qëllimi të përbashkët. Për këtë arsye, sot po themelojmë Grupin Punues të kryesuar nga zëvendëskryeministri i parë, dhe Ministri i Punëve të Jashtme Glauk Konjufca, me përfaqësim institucionale dhe parlamentar, për të bashkërenduar mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike në funksion të procedurave të Apelit”, tha Kurti.
“Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë, që me mjetet që i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës tonë çlirimtare”, tha ai./abcnews.al


