Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel prej ditës së djeshme për të marrë pjesë në konferencën mbi perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai është takuar me Komisionerin Europian per Zgjerim dhe Fqinjësinë, Johannes Hahn si dhe me homologun belg.
Takime të njëpasnjëshme ka zhvilluar Kryeministri Edi Rama në Bruksel. Në vigjilje të Raportit të Komisionit Europian të 17 prillit, ku pritet rekomandimi për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, kreu i qeverisë shqiptare është takuar me zëvendëspresidenten e Bashkimit Europian, Federica Mogherini.
Kreu i qeverisë shprehet i kënaqur edhe nga takimi me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ku sipas tij, u bë edhe bilanci i progresit të qëndrueshëm në adresimin e prioriteteve kyçe të integrimit. Pjesë e bisedimeve është bërë edhe ecuria e procesit të Vetingut, që këtë javë, shprehet kreu i qeverisë në rrjetet sociale, hyn në fazën vendimtare të zbatimit.
Kjo do të nisë me fillimin e dëgjesave publike të gjykatësve e prokurorëve të nivelit të lartë përpara komisionit të shkallës së parë.
Kryeministri Edi Rama është takuar edhe me kryeministrin belg, Charles Michel, i cili ka mbështeur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe shprehu konsiderata shumë pozitive për ecurinë e reformave tona në funksion të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE.
Axhenda e takimeve të kreut të qeverisë shqiptare ka vazhduar me europarlamentarin dhe raportuesin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein dhe Andrey Kovatchev, anëtar i Presidencës së Parlamentit Europian./abcnews.al