Sërish akuza për trukim ndeshjesh në Spanjë. Getafe zhvilloi një sezon shumë të mirë vjet dhe ishte shumë afër kualifikimit në Champions League. Skuadra madrilene garoi deri në javën e fundit me Valencian për vendin e katërt, por nuk ia doli dot të siguronte atë pozicion.
Në Champions shkoi Valencia, që fitoi 0-2 ndaj Valladolid në javën e fundit, ndërsa Getafe u frenua në shtëpi në një barazim 2-2 kundër Villareal, duke e mbyllur sezonin në vend të pestë. Pikërisht te kjo ndeshje kanë dyshime autoritetet spanjolle.
Cadena Ser zbulon se një hetim është hapur në lidhje me duelin e 18 majit të vitit të kaluar. Kapiteni i Getafes, Jorge Molina dyshohet se është përfshirë në bisedime me Villareal, me qëllimin që këta të fundit të lejonin Getafen të fitonte ndeshjen. Diçka e tillë nuk ndodhi dhe dueli u mbyll pa fitues, rezultat që i shkoi përshtat Valencias. /abcnews.al