Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, ka folur në studion e emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla për kapjen e të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj” të krimit. Ajo nuk i ka përjashtuar raste të tilla, por ka nënvizur se hetimi nuk është fushatë, ndaj kërkon kohë që të realizohet.
Arta Marku: “Nuk më pëlqen të flas, më pëlqen të veproj”.
Këtë thotë se po bën prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme jashtë studiove televizive. Ka apo nuk ka ndër dosje peshq të mëdhenj?
Përtej emocioneve përpara kamerave të emisionit “Real Story” të gazetarit Sokol Balla thotë se punën po e kryen ftohtë.
Arta Marku: “Unë mund t’ju them që hetimi nuk është fushatë. Prokuroria punon çdo ditë me dosjet e mëdha, me dosjet e vogla, me këdo që i është cenuar interesi, këdo qytetar që është cenuar nga një vepër penale”.
Po në të njëjtën mënyrë sqaron çdo pretendim për rihapjen e dosjeve të vjetra si Gërdeci apo 21 Janari.
Arta Marku: “Këto çështje natyrisht që po shqyrtohen nëse ka mjete juridike të paezauruara, mjete të zakonshme ose jashtëzakonshme dhe a ka mundësi prokuroria që t’i përdorë këto mjete”.
E rezervuar tregohet Arta Marku edhe kur pyetet nëse po e heton paraardhësin e saj Adriatik Llalla. As pohon, por as mohon se një dosje e tillë është në zyrën e saj.
Arta Marku: “Le të themi që Prokuroria ka marrë përsipër përgjegjësitë e veta që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji. Më tepër unë nuk mund të flas rreth kësaj çështje”.
Më gjatë e shpjegon rastin e ekstradimit të Nezar Seitaj. Nuk tha nëse është bërë mirë apo keq po citoi datat e procedurës së ndjekur.
Arta Marku: “Kërkesa për ekstradimin e Nezar Seitajt është bërë përpara se unë të isha në këtë pozicion ku jam aktualisht dhe konkretisht që në tetor të vitit 2017. Gjykata e rrethit Tiranë me vendimin e datës 18 Dhjetor 2017 ka vendosur lejimin e ekstradimit të shtetasit Nezar Seiti”.
Sokol Balla: “Ky ishte në ditën që ju zgjidheshit prokurore”?
Arta Marku: “Në ditën që unë u zgjodha”.
Nuk është e kënqur me atmosferën se si u zgjodh ndonëse thotë se tashmë e ka hedhur pas krahëve.Ndërsa pretendimeve të opozitës se po drejton institucionin e akuzës pa kaluar Vettingun i përgjigjet pa emocion.
Arta Marku: “Askush nuk e ka kryer, por unë jam në proces si disa të tjerë. Jam futur në këtë proces pasi kam kandiduar për anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si disa koleg dhe në momentin që jam zgjidhur Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme kam hequr dorë nga kandidimi për në KLP por duke njoftuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, që unë dua të vazhdoj procesin e rivlerësimit”./abcnews,al