Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një konferencë për shtyp sëbashku me ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca në ditën e Europës.
Pas fjalës përshëndetëse dhe falënderimeve për mbështetjen e Bashkimit Europian dhënë Shqipërisë jo vetëm pas tërmetit të 26 nëntorit por edhe gjatë pandemisë, Rama njoftoi se pas diskutimeve me BE, për të ndihmuar në përballimin e situatës së pandemisë do të përfshihet edhe Banka botërore.
Sipas Ramës, përfshirja e bankës Botërore do të ndihmojë dhe do të lehtësojë në mënyrë të ndjeshme procesin e e financimit të vendeve të cilat kanë vështirësi për të marrë veten nga goditja e pandemisë.
“Sot është dita e Evropës dhe në këtë 9 maj kjo ditë na gjen në një situatë tejet të jashtëzakonshme që na pamundësojë ritualet e zakonshme në kremtimin e kësaj ditë të veçantë. Faleminderit për mundësinë që këtu në shtëpinë e Evropës të japim një mesazh përshëndetës për shqiptarët. Përpara dy ditësh ne patëm një shkëmbim të rëndësishëm të ideve në platformën dixhitale të Samitit të Zagrebit.
Ky takim në distancë ishte me shumë përmbajtje dhe me ndjesi të fortë angazhimi për të përballuar situatën nga armiku i padukshëm por edh epër të reflektuar shumë çka për cfarë duhet bërë më tej.
Në këtë kontekst nuk mundet përveçse të rishprehet në mënyrë të vazhdueshme mirënjohja për miqtë tanë në Bruksel, për miqtë tanë në të gjithë kryeqytetet, në veçanti për miqtë tanë këtu në Tiranë që u gjendën përsëri pranë nesh pas tragjedisë së 26 nëntorit dhe konferencës së jashtëzakonshme të donatorëve në Bruksel.
Siç doli qartë në diskutimin e samitit të pardjeshëm mbështetja e institucioneve evropiane do të vazhdojë dhe do të përfshijë edhe Ballkanin Perëndimor edhe Shqipërinë pavarësisht se s’janë pjesë e BE në sensin e integrimit në BE.
Përtej atyre që tha ambasadori dua të theksoj se ndihmës së angazhuar të dhënë deri tani të BE për të përballuar situatën e kësaj lufte do ti shtohet edhe më tej një ndihmë nga buxheti evropian, në gjysmën e dytë të 2020, nga ana tjetër dua ta informoj publikun se pas disa diskutimeve në BE, kemi marrë një aprovim në parim për të përfshirë edhe Bankën Botërore në këtë ndihmë.
Për të lehtësuar në mënyrë të ndjeshme të gjithë procesin që ka të bëjë me financimin e vendeve, në kushte kur vendet si tonat e kanë të vështirë të dalin nga kjo situatë dhe e kanë të vështirë të balancojnë goditjen e marrë. Dua të konfirmoj me një falënderim, për ambasadorin por edhe miqtë në BE, për procesin e rindërtimit“, tha Rama./abcnews.al