Kokaina e sekuestruan në Durrës është rikthyer edhe njëherë në mollë sherri mes ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe deputetit të PD, Flamur Noka.
Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, iu rikthye edhe njëherë suksesit të operacionit “Forca e Ligjit” për sekusestrimin e 613 kilogramëve kokainë të ndodhur në fund të Shkurtit në Durrës. Sipas ministrit, krerët e opozitës dolën qesharakë edhe në sytë e ndërkombëtarëve për mënyrën se si e trajtuan atë ngjarje.
Fatmir Xhafaj: “Jo vetëm ne, por edhe partnerë tanë në luftën kundër krimit të organizuar janë të çuditur dhe gati të shokuar për mënyrën se si lidershipi opozitar e përcolli suksesin e sekuestrimit të një sasi të tillë kokaine. Si është e mundur të nderuar kolegë opozitarë që një pjesë e juaja dhe ca më shumë drejtuesit tuaj politik, pa pikën e turpit artikulojnë akuza skandaloze për këtë çështje pikërisht për ata të cilët janë protagonistë në arritjen e këtij rezultati”?!
I menjëhershëm ishte edhe reagimi i ish-ministrit të Brendshëm, Flamur Noka në mandatin e dytë të qeverisë Berisha.
Flamur Noka: “Na akuzove se ne si opozitë paskemi folur për krimin shqiptar në Europë. S’është e vërtetë! Ne kemi folur dhe do flasim për krimin shqiptar në Shqipëri. Ambasadori i SHBA-ve ka bërë një deklaratë ku thotë, “katër klane, dyzet familje”. Pra kjo është e vërteta që kemi thënë dhe ne dhe SHBA. Na the që keni abuzuar me Shqipërinë si rrugë tranzit me droga të forta. Nuk e kemi thënë vetëm ne. Është raporti i Departamentit Amerikan të shtetit që e thotë. Çështja e kokainës! Pse ishe në kundërthënie me kryeministrin? Çfarë tha marina kolumbiane, DEA”?
Noka sulmoi edhe qeverinë Rama, pasi kjo e fundit nga hequr nga skema e ndihmës ekonomike shumë nga familjet në nevojë./abcnews.al