Roma në çerekfinale të Champions-it pas 10 vjetësh

schedule15:06 - 14 Mars, 2018

schedule 15:06 - 14 Mars, 2018

U deshën 10 vjet, që Roma të kthehej sërish në çerekfinale të Championsit. Sulmuesi Edin Xheko, i dha suksesin skuadrës italiane, që mbetet ambicioze për më shumë.

Për herë të fundit në çerekfinale kishte qenë në sezonin 2007-2008.

Roma ia doli të kthehej sërish aty, këtë herë jo me legjendën Françesko Toti, por me sulmuesin e shquar boshnjak, Edin Xheko.

Shtatlarti zgjidhi përballjen me Shahtarin e Donjeckut, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes, dhe romanët ia dolën me rrjetë në fushë kundërshtare, pas barazimit të golaverazhit në 2-2.

Ishte goli i katërt i Xhekos në këtë sezon të Championsit, po aq sa rekordi që ka me Volfsburgun, ishte po hera e katërt në histori, që Roma arrin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Nuk ishte një ndeshje e bukur futbolli, me të dyja skuadrat që u ruajtën për të mos pësuar gol, dhe me portierin e Romës, Alison që ishte thuajse spektator, edhe pse ukrainasit patën disa mundësi në pjesën e parë dhe ushtruan presion pas pësimit të golit në minutën e 52-të.

Nuk dihet nëse do të ketë marshimin triumfal të Romës së vitit 1984 që arriti deri në finale, dhe u mund me penallti nga Liverpuli, duke pasur në përbërje yje si Falkao, Serezo, Bruno Kontin, Di Bartolomeo, Pruco apo Graciani.

Gjithsesi, trajneri Euzebio Di Françesko ka besim.

Euzebio di Françesko: “Është një kënaqësi e madhe për mua, por mbetem shumë i kthjellët dhe i qetë sepse në fushë u pa një skuadër e vërtetë. Patëm një ekip të përbërë nga njerëz me karakter, dhe kjo është më e rëndësishmja. Lojtarët tanë përballuan një ndeshje që vërtet nuk ishte ndeshja e jetës, por ishte thuajse e tillë. Rezultati ishte i jashtëzakonshëm, ndonëse në pamje të parë duket si I zakonshëm. Nuk është e lehtë për Romën të arrijë në këto nivele, ndaj duhet të jetë një kënaqësi për të gjithë. Shpresoj dhe besoj se mund të arrijmë edhe më larg. Gjithashtu, pashë një publik të jashtëzakonshëm që pas golit më futi të dridhurat”.

Një nga arkitektët e fitores, por jashtë fushës dhe stërvitjes, drejtori sportiv, Monçi, i ardhur nga Spanja, dhe pikërisht nga Sevilja.

Monçi: “Është lumturi dhe krenari e madhe që arritëm deri këtu. Është një shpërblim i punës që kemi bërë, dhe kjo ndodh kur punon me zemër dhe me pasion. Jam shumë i lumtur edhe për tifozët tanë. Tashmë, kemi mundësi të ndeshemi edhe me Seviljen, por për momentin thjesht dua të shijoj suksesin e Romës, por edhe të Seviljes, pasi kam shumë miq atje”.

Nëse Roma priti 10 vjet për çerekfinalet, Italia priti 11 vjet për të pasur dy skuadra në 8 më të mirat e Championsit, pasi më parë u kualifikua Juventusi.

Në 2007, kur ndodhi kjo gjë, ishte Milani që fitoi Ligën e Kampionëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!