Kosova e ka ditë historike 3 majin, Armand Duka uron FFK-në

schedule14:57 - 3 Maj, 2020

schedule 14:57 - 3 Maj, 2020

3 Maji është një ditë historike për të gjithë futbollin shqiptar. Në 3 Maj të vitit 2016 Kosova u bë anëtare me të drejta të plota e UEFA-s, në Kongresin e 40-të të mbajtur në Budapest. Ëndrra e shumë brezave u bë realitet, kjo falë punës shumë vjeçare të Presidentit të ndjerë Fadil Vokrri, i cili punoi që nga dita e parë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës që shteti më i ri i Europës të njihej në FIFA dhe UEFA për t’i hapur rrugë zhvillimeve të mëdha.

Në këtë ditë historike për Kosovën dhe gjithë futbollin shqiptar, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në emër të gjithë komunitetit të futbollit në vend ka uruar Federatën e Futbollit të Kosovës nëpërmjet një letre zyrtare.

“I nderuar z. Ademi! Me përvjetorin e katërt të pranimit të Kosovës në UEFA, kam nderin dhe kënaqësinë t’ju përcjell në emrin tim dhe të të gjithë anëtarëve të familjes së futbollit në Shqipëri urimet më vëllazërore për këtë ditë historike për Kosovën

Ëndrra e shumë brezave në Kosovë tashmë është realitet i prekshëm. Kosova prej 4 vitesh është bërë pjesë e familjes europiane të futbollit si anëtare me të drejta të plota. Puna e madhe e bërë nga Presidenti Vokrri dhe ju sot, kanë bërë që Kosova të ketë vendin e merituar në panoramën e futbollit europian.

Kjo arritje na bën krenar dhe jemi optimist se do të keni një të ardhme të ndritur përpara, me fitore dhe suksese të cilat na kënaqin dhe gëzojnë pa masë. Marrëdhëniet tona vëllazërore dhe institucionale janë dhe do të jenë në nivelet maksimale të bashkëpunimit. Së bashku do të zhvillojmë projekte të rëndësishme për rritjen e futbollin shqiptar. Përshëndetje të përzemërta, Armand Duka, President i FSHF-së”. /fshf.org

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!