E ardhmja e Manchester City varet nga vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS). UEFA dënoi kampionët e Anglisë me një gjobë prej 30 milion eurosh dhe dy vite pezullim nga kompeticionet evropiane. Klubi mohon akuzat për parregullsi në FPF (Fair Play Financiar) dhe ka dërguar çështjen në CAS.
Kevin De Bruyne është një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së Guardiolës. Belgu tregohet i sinqertë për Het Laatste Nieuws dhe s’e mohon largimin, gjithmonë nëse apeli nuk ndryshon vendimin e UEFA-s, teksa shumë klube do ishin gati të bënin çmenduri për shërbimet e tij.
“Nuk kam vendosur asgjë për të ardhmen, po pres akoma. Drejtuesit janë 100% të bindur që kanë të drejtë dhe unë kam besim te klubi im. Besoj te fjalët që thonë. Të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë, duhet të mësojmë vendimin përfundimtar që do të merret. Dy vite pas Champions League janë shumë. Një vit mund ta përballoj, por dy janë shumë të gjatë”, deklaron ylli belg. /abcnews.al

