Eurozona do të japë hua të tjera për Greqinë

schedule22:45 - 12 Mars, 2018

schedule 22:45 - 12 Mars, 2018

Greqia do të marrë hua të reja nga Eurozona, pasi ka respektuar kriteret dhe së shpejti do të përfitojë lehtësime për borxhet e saj. Shefi i Eurogrupit ka deklaruar se Greqia është në drejtimin e duhur për rimëkëmbjen.

Kreditorët e Eurozonës do t’i japin hua të reja Greqisë këtë muaj dhe po punojnë për lehtësimin e kushteve të borxheve, një lëvizje kjo që pritet të ndikojë pozitivisht në rimëkëmbjen e shtetit grek.

Huaja pritet të ketë vlerën e 5.7 miliardë eurove dhe do të lëshohet në gjysmën e dytë të marsit, pasi parlamentet e vendeve që përdorin monedhën e përbashkët të miratojnë procedurat e nevojshme.

“Kjo vjen pasi Greqia ka respektuar zotimet e saj në kuadër të programit të ndihmave”, ka deklaruar shefi i Eurogrupit, Mario Senteno.

“Kam besimin se Greqia do t’i përmbushë të gjitha kriteret e mbetura për ta mbyllur me sukses programin”, ka thënë ai.

Mes kritereve të mbetura për Greqinë janë privatizimet e mëtejshme të infrastrukturës dhe liberalizimi i tregjeve të gazit dhe energjisë elektrike. Zyrtari i lartë ka theksuar se, këto janë parakushte që i garantojnë Greqisë një lehtësim të borxheve të saj. Bisedimet teknike në lidhje me lehtësimet janë në vijim dhe të tjera mund të mbahen në Prill./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!