“Avulluan” 10 milion CH/ Pushohen hetimet për “Gjermani 2006”, FIFA tërbohet keq

schedule09:18 - 29 Prill, 2020

schedule 09:18 - 29 Prill, 2020

FIFA është e zhgënjyer, për shkak se hetimet e nisura vite më parë në Zvicër për World Cup 2006, janë mbyllur. Kjo për shkak se janë tejkaluar afatet dhe çështja është e pushuar, sipas edhe ligjeve në shtetin helvet. Sa i takon çështjes në hetim, dyshohej për pagesa nën dorë që ishin bërë për të blerë votat për organizimin e Kupës së Botës në Gjermani. Sep Blatter, ish-presidenti i FIFA-s, përflitej si i përfshirë, ndërkohë që edhe emri i Beckenbauer është lakuar asokohe.

REAGIMI – “FIFA është thellësisht e zhgënjyer për shkak se gjyqi në lidhje me Kupën e Botës 2006 në Gjermani nuk do të zhvillohet për shkak të kalimit të afateve. FIFA, nga ana e saj, bashkëpunoi plotësisht në këtë hetim ndër vite, duke iu përgjigjur shumë kërkesave të bëra nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, çka ka shkaktuar kosto të konsiderueshme dhe kohë menaxhimi për të barë diçka të tillë.

Fakti që çështja mbyllet pa një vendim është shumë shqetësuese, jo vetëm për futbollin, por edhe për sistemin e drejtësisë në Zvicër. Shpresojmë që e vërteta e pagesës së rreth 10 milion frangave të dalë në dritë një ditë dhe ata që kanë bërë veprime të gabuara të marrin ata që u takon, nëse jo në Zvicër, atëherë ndoshta në një vend tjetër.

Për FIFA-n kjo çështje sigurisht që nuk ka mbaruar, pasi ne nuk mund të pranojmë që 10 milion franga zvicerane të paguhen nga llogaritë e FIFA, pa një arsye. Edhe nëse kjo ka ndodhur shumë kohë më parë, Komiteti i Etikës, i pavarur nga FIFA, do të vazhdojë të hetojë për këtë çështje dhe të tjera të ngjashme me të.

Për më tepër, FIFA do të vazhdojë të bashkëpunojë me të gjitha agjencitë shtetërore të zbatimit të ligjit, përfshirë edhe ato në Zvicër, me shpresën dhe besimin se të gjithë ata që janë përgjegjës si dëmtues të futbollit, në fund do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe nuk do të mund të fshihen përgjithmonë në paratë e fituara me mënyra të gabuara”, shkruhet në qëndrimin e FIFA-s. /abcnews.al