Në një intervistë për mediat amerikane, presidenti rus, Vladimir Putin, thotë se nuk është i shqetësuar për akuzat për ndërhyrje në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara. Madje ai ka nënçmuar hetimet për çështjen “Russiagate” që udhëhiqen nga prokurori special Robert Mueller.
Një javë para zgjedhjeve presidenciale ruse, Vladimir Putin rrëfehet për televizionin amerikan NBC. Shefi i Kremlinit thotë se nuk shqetësohet nga akuzat e SHBA-së për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane të 2016, dhe nënçmon aksionin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller, i cili drejton hetimet për çështjen “Russiagate”, që ka çuar në ngritjen e aktakuzave për 13 shtetas rusë.
“Për mua është njësoj, nuk përbën asnjë ndryshim. Akuzat e prokurorit special Mueller nuk na prekin”, u shpreh Putin. Gjatë intervistët, gazetarja insiston dhe pyet nëse vërtet nuk e prekin akuzat amerikane, presidenti rus përgjigjet: “Absolutisht, pasi nuk prekin nga afër shtetin rus”.
Më tej, Putin thotë se disa nga 13 qytetarët rusë të inkriminuar në Shtetet e Bashkuara nuk janë plotësisht etnikë rusë. Ai ka insistuar gjithashtu në faktin që Rusia nuk ka pasur as instrumentet dhe as dëshirën për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe u ankua për faktin se Uashingtoni ka refuzuar bashkëpunimin me Rusinë lidhur me sigurinë kibernetike.
Ndërkohë, nga ana tjetër Mueller vijon hetimet për të mësuar nëse mes Kremlinit dhe ekipit të fushatës së presidentit Donald Trump ka pasur një marrëveshje të fshehtë parazgjedhore. Gjithashtu prokurori special amerikan kërkon të mësojë nëse Moska ka ndikuar në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, një pretendim ky që mbështetet fuqishëm nga inteligjenca e SHBA-së./abcnews.al