Bizneset po futen në “ngërç”, vetëm 4 % kanë aplikuar për kreditë e buta, procedurat të paqarta

schedule16:33 - 28 Prill, 2020

schedule 16:33 - 28 Prill, 2020

Bizneset shqiptare nuk kanë arritur të përfitojnë nga paketat financiare. Kreu i shoqatës së Prodhuesve Arben Shkodra shprehet se edhe pse janë vënë në dispozicion garanci sovrane për kreditimin e bizneseve kjo masë nuk ka funksionuar. Deri më tani rezulton se vetëm 4 % e bizneseve kanë aplikuar ndërsa procedurat mbeten të paqarta.

“Nuk na dukej e përshtatshme që për rrogat ne merrnin kredi me interesa. Nga informacionet tona dimë se ka pasur qasje në banka të disa bizneseve. Besoj 3-4% e bizneseve janë adresuar në banka të cilat janë ende të paqartë për mekanizmin  e dytë të garancisë sovrane që nuk ka dalë akoma. Do ishte shumë mirë që në momentin që publikohen të dilnin edhe mekanizmat”, u shpreh Shkodra.

Nga një sondazh i bërë gjatë muajit prill rezulton se 83% e sipërmarrjeve po vuajnë për likuiditet. Po ashtu problem i ndjeshëm për ndërmarrjet mbetet edhe mungesa e klientëve dhe ulja e prodhimit .

“Duke filluar nga punësimi, të ardhurat e secilës kompani, por edhe sa i përket produktivitetit të ekonomisë shqiptare, ka shënuar një rënie të thellë për shkak të mbylljes së transportit”,  sqaroi ai.

Ndihmën financiare  me paga prej 40  mijë lekësh për punonjësit  e biznesit nuk vlerësohen si zgjidhje për këtë situatë pasi shumë prej punonjësve tashmë kanë mbetur të papunë ndërsa një numër i konsiderueshëm prej tyre kanë hasur vështirësi në përfitim.

“Të ndërtosh një mekanizëm për papunësinë do të thotë të kesh pranuar dështimin. Është më e rëndësishmet të kishte rritje të elasticitetit të kompanisë shqiptare për të ruajtur vendet e punës. Nëse qeveria mendon të paguajë pagat deri në fund të majit, çfarë do të ndodhë me punonjësit në 1  qershorit me punonjësit. Do të rikthehen në punë ndërkohë që nuk kemi mundësi që të performojmë sepse produktiviteti ka rënë , tha më tej Shkodra.

Situata e krijuar në vend  nga pandemia parashikohet të shkaktoj një tjetër valë emigracioni në vend dhe kjo po i tremb sipërmarrjet shqiptare të cilat rrezikojnë të mbeten pa fuqi punëtore./abcnews.al