PS: Basha të sqarojë “sallatën ruse” që ka gatuar

schedule13:23 - 11 Mars, 2018

schedule 13:23 - 11 Mars, 2018

Është radha e deputetit Ervin Bushati t’i kërkojë Lulëzim Bashës që të tregojë për gjysëm milion dollarët e deklaruara nga Nick Muzin për llogari të Partisë Demokratike.

Ervin Bushati: “Lulzim Basha thotë se plot 500 mijë dollarë plus, që rezultojnë në llogarinë e firmës për hesap të atij vetë e të partisë së tij, nuk janë paguar nga PD, por nga individë që ai as nuk i njeh dhe për të cilët ka dëgjuar rastësisht, por jo zyrtarisht. Çfarë është kjo marrëzi? Tallje?! Lajthitje”?!

Në faktet që rendit deputeti socialist “Biniatta Trade LP”, një kompani e regjistruar në parajsa fiskale, e zotëruar nga dy biznesmenë rusë, jo vetëm që deklaron një pagesë prej 150 mijë dollarësh të tjera në favor të firmës lobuese të Lulzim Bashës, por në kontratën e saj parashikohet edhe një tjetër pagesë prej gjysmë milioni dollarësh, të cilën Lulzim Basha nuk e mohon, por refuzon të tregojë burimin e kësaj shumës tjetër prej gjysmë milion dollarësh.

Ervin Bushati: “Pra, gjysmë milion dollarë i paskan shkuar firmës private nga 100 shqiptarë, për të cilët Lulzim Basha vetëm ka dëgjuar që ekzistojnë por nuk i di as kush janë; gjysmë milioni tjetër, sipas Lulzim Bashës, firma i paska marrë nuk dihet se nga kush dhe i paska vënë në dispozicion të tij e të Partisë Demokratike për të paguar propagandën opozitare kundër Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Çfarë është kjo sallatë ruse parash, kompanish fantazmë, donatorësh të panjohur, bamirësish të papërmbajtur, ku plot 1 milion dollarë janë hedhur për fabrikën e baltës së Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike pa dijeninë e këtij të fundit”?!

Kjo histori ka një anë tjetër shumë të errët që duhet zbardhur medoemos, sipas deputetit Bushati, për të kuptuar nëse është cënuar interesi kombëtar dhe kërcënuar stabiliteti i vendit. Nga njëra anë, socialistët kërkojnë që kryetari i Partisë Demokratike të japë përgjigje për këto lidhje, nga ana tjetër një pyetje e kanë edhe për prokurorinë.

Ervin Bushati: “Po Prokuroria çfarë pret, që ta thërrasë zyrtarisht Lulzim Bashën dhe ta vendosë nën akuzë për këtë çorbë të padëgjuar ndonjëherë”?!/abcnews.al