Lista Studentore në Serbi premton ndryshim në mënyrën e qeverisjes, luftë kundër korrupsionit dhe depolitizim të institucioneve, por në politikën e jashtme ruan shumë prej qëndrimeve që kanë karakterizuar edhe pushtetin e Aleksandar Vuçiçit.
Pavarësisht premtimeve për thellimin e bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, programi i saj parashikon vazhdimin e partneritetit me Rusinë dhe Kinën, refuzimin e sanksioneve ndaj Moskës dhe kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës.
Këto qëndrime janë pjesë e programit të politikës së jashtme të Listës Studentore, e cila, sipas rezultateve të paraqitura, synon të marrë drejtimin e qeverisë serbe.
Për Kosovën, Lista Studentore mban një qëndrim të qartë kundërshtues ndaj pavarësisë dhe anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare. Programi i referohet Kushtetutës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke e paraqitur Kosovën si pjesë të territorit serb.
“Do ta kundërshtojmë në mënyrë të vazhdueshme pavarësinë e shpallur njëanshëm të së ashtuquajturës Republikë të Kosovës dhe nuk do të lejojmë anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare”,thuhet në të.
Lista kërkon gjithashtu që marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës t’i nënshtrohen vlerësimit të kushtetutshmërisë.
Për serbët që jetojnë në Kosovë, lista propozon lidhjen administrative të vendbanimeve me shumicë serbe me komunat përkatëse, si dhe sigurimin e një autonomie sa më të gjerë nga institucionet e Prishtinës.
Edhe për Rusinë, programi nuk parashikon ndryshime thelbësore. Lista Studentore zotohet të ruajë partneritetin tradicional me Moskën dhe bashkëpunimin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për çështje që lidhen me integritetin territorial të Serbisë.
“Republika e Serbisë do ta ruajë qëndrimin parimor për mosvendosjen e masave kufizuese ndaj Federatës Ruse” citohet në program
Kundërshtimin ndaj sanksioneve lista e arsyeton me dyshimet për efektshmërinë e tyre, pasojat mbi popullsinë dhe përvojën historike të Serbisë.
Në këtë pikë, programi ruan një nga elementet më të rëndësishme të politikës së jashtme të Beogradit: përpjekjen për të mbajtur marrëdhënie të afërta me Moskën, pavarësisht presionit të vendeve perëndimore për harmonizimin e politikës së jashtme serbe me atë të Bashkimit Evropian.
Në raport me Bashkimin Evropian, Lista Studentore premton thellimin e bashkëpunimit dhe përshpejtimin e reformave në drejtësi, të drejtat themelore, lirinë dhe sigurinë.
Në programin e saj për Lindjen e Mesme, Lista Studentore mban qendrim kunder bordit te paqes. Lista studentore thekson se Serbia nuk duhet të jetë bashkëpjesëmarrëse në atë që e cilëson si shkatërrim sistematik të popullit palestinez në Gazë nga Izraeli. Ajo premton shtimin e ndihmës humanitare për palestinezët.
Programi i Listës Studentore paraqet një përzierje të afrimit me Perëndimin dhe vazhdimit të marrëdhënieve tradicionale me Rusinë dhe Kinën. Fitorja e Listes Studentore ne Serbi ne aspektin e politikes se jashtme ka sjelle ndryshim fytyrash, por jo te strategjise./abcnews.al


