Futbolli anglez u trondit përsëri nga dhuna e tifozëve. Një ndeshje e Premier Ligës në Londër u kthye në kaos, pasi disa përkrahës të Uest Hemit u futën në fushën e lojës për të protestuar.
Shenjat ishin dhënë që më parë, por nuk ishte arritur deri këtu.
Dhuna e tifozëve njollosi ndeshjet e kësaj jave në Premier Ligën angleze, dhe skenat ishin në stadiumin e Uest Hemit në Londër, ku shumë persona hynë në fushën e lojës.
Skuadra vendase u mund përsëri, këtë herë 2-0 nga Bërnli, duke zbritur pranë vendeve të fundit, e duke qenë e rrezikuar për të rënë në kategorinë e dytë.
Publiku vendas në “Stadiumin e Londrës” ishte i zemëruar, jo vetëm me futbollistët, por sidomos me pronarët e klubit, veçse zemërimi i tyre mori përmasa të mëdha në pjesën e dytë.
Rojet e sigurisë nuk arritën të ndalonin disa prej tifozëve që hynë në terren, për të shprehur hapur pakënaqësinë e tyre me klubin, por edhe duke u bërtitur futbollistëve.
Edhe lojtarët nuk e ruajtën dot qetësinë, dhe kapiteni i Uest Hemit, Mark Nobël u përplas fizikisht me njërin nga invaduesit e fushës.
U deshën disa minuta që kaosi të përfundonte dhe që policia private të vendoste qetësinë, në mënyrë që ndeshja të vazhdonte.
Uest Hemi ka humbur 14 dhe ka fituar vetëm 7 nga 30 ndeshjet e luajtura deri tani, duke qenë skuadra që ka pësuar më shumë gola në Premier Ligë, plot 57.
Skuadra e sotme është shumë larg lavdisë së më parshme, kur 3 lojtarë të saj ishin në përbërje të Anglisë kampione të botës në 1966, Bobi Mur, Xhef Hërst e Martin Piters./abcnews.al