Rikthehet shërbimi taksi, drejtuesit e tyre dhe klientët duhet të zbatojnë masa strikte

schedule15:26 - 27 Prill, 2020

schedule 15:26 - 27 Prill, 2020

Pas më shumë se gjashtë javësh qytetarët do të mund të përdorin shërbimin taksi, shërbim i cili ishte mbyllur kur u shfaqen rastet e para me COVID-19.

Dritani punon si taksist prej 10 vitesh dhe e priti mirë këtë vendim për të dalë sërish në punë.

 “Shyqyr që erdhi ky moment për të dalë në punë. Punë jo, dhe ekonomia normalisht vjen duke rënë”, u shpreh taksisti Dritan Xhaja.

Po ashtu edhe Petriti i cili punon prej 7 vitesh si taksist në kryeqytet e sheh si mjaft pozitiv lejimin e shërbimit taksi.

 “Vendimin e pritëm mirë, por tani dihet që punë nuk ka”, u shpreh ai.

Por, ky shërbim edhe pse tashmë është i lejuar, nuk është si më parë pasi duhet të respektohen disa rregulla të reja si për drejtuesit e taksive, po ashtu edhe për klientët.

 “Rregullat duhet të jenë strikte për të gjithë. Me maskë, doreza, dezinfektantë të cilat i kemi në makinë”, u shpreh taksisti Dritan Xhaja.

“Klienti tashmë do të jetë diagonal, doreza mund ti shërbej klientit. Protokolli duhet të zbatohet rreptësisht”, tha Petrit Stojku, taksist.

Dita e parë e rikthimit të shërbimit taksi duket se nuk ka pasur dhe aq kërkesa nga ana e qytetarëve, kjo edhe për shkak të kufizimit të lëvizjeve.

 “Që nga ora 06:00 vetëm një lëvizje kam bërë”, tha Dritan Xhaja.

 “Kjo është e vetmja punë me të cilën ushqej familjen dhe shkolloj fëmijët”, tha Petrit Stojku.

Petriti ke merak sa i përket shëndetit të familjes, pasi në taksi do të jetë në kontakt me klientë të ndryshëm.

“Pavarësisht të ardhurave që mund të çoj në familje, ne jemi drejtëpërdrejt në kontakt. Frika është e shumtë pasi klientët nuk janë të gjithë të drejtë”, tha Petrit Stojku.

Si pjesë e rregullave të reja për shërbimin taksi, kondicioneri duhet të jetë i fikur dhe ajrosja të jetë natyrale, dritaret e mjetit të qëndrojnë pakëz të hapura. Pas shërbimit ndaj çdo pasagjeri, drejtuesi i taksisë duhet të dezinfektojë timonin, dorezat e dyerve të mjetit, sediljet, rripat e sigurimit, kontrollet e dritareve dhe pjesë të tjera të automjetit./abcnews.al