Nga rastet e studiuara në muajin mars, ekspertët – si masë kryesore për të parandaluar koronavirusin – kërkuan mbylljen e shkollave, pasi edhe fëmijët mund ta transmetojnë sëmundjen, ndonëse mund të mos shfaqin simptoma. Po në këtë kohë, hulumtimet treguan se vetëm 2.4% e të gjitha rasteve në Kinë qenë nën moshën 19 vjeç dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë e përshkroi si një numër shumë të vogël, megjithatë u theksua se studimet vazhdojnë ende.
Duke qenë se në disa shtete, ka nisur hapja graduale e aktiviteteve, një nga shqetësimet kryesore për lehtësimin e masave është rreziku i fëmijëve nëpër shkolla. Sa të rrezikuar janë ata?
Një raport i ri thotë se fëmijët nëpër shkolla nuk janë të rrezikuar nga transmetimi i virusit te njëri-tjetri ose të stafi mjekësor. Studimi, u realizua nga The National Centre for Immunisation Research and Surveillance (NCIRS) në New South Wales, shtet në Australi.
NCIRS ka për qëllim të informojë politikën për planifikimin e shërbimeve përsa i përket mbikqyerjes së sëmundjeve infektive, mbulimin e vaksinave dhe menaxhimin e situatave të tilla.
Në raport thuhet se u studiuan transmetimet e koronavirusit në shkollat e vendit në periudhën midis marsit dhe mesit të prillit.
Nga 18 raste gjithsej (nëntë nxënës dhe nëntë anëtarë të stafit pedagogjik), vetëm 1 fëmijë mendohet se është infektuar në mjedisin e shkollës.
“Gjetjet nga ky hulumtim janë në një fazë paraprake,” thuhet në raport. “Sidoqoftë, përhapja e Covid-19 brenda shkollave ka qenë e kufizuar.”
Megjithatë, pavarësisht se në përgjithësi simptomat janë më të lehta te fëmijët dhe ata e kalojnë Covid-19 me lehtësi, vlen të thuhet se ka rëndësi edhe kushtet e higjienës nëpër shkolla. Siç është theksuar shumica e shkollave dhe fakulteteve në vend nuk u ofrojnë nxënësve/studentëve kushtet bazë për higjienën personale./abcnews.al