Klubet e Premier Ligës angleze janë të shqetësuar për shëndetin e lojtarëve të tyre, në lidhje me kohën e gjatë që kanë qëndruar pushim. Ata do të marrin mjekë kardiologë për t’i vizituar kur të rifillojë sezoni, që pritet të jetë i vrullshëm. Një ndryshim drastik i ritmit të aktivitetit mund të ndikojë për keq tek yjet e futbollit dhe klubet e Premier Ligës e kanë shumë të qartë diçka të tillë. Ata po tentojnë t’i dalin të keqes përpara.
Drejtuesit e klubeve kanë planifikuar që të shtojnë masat e sigurisë shëndetësore për lojtarët, pra për të marrë doktorë të tjerë, përveç atyre që kanë në stafet mjekësorë. Ata do të punësojnë kardiologë, pra mjekë të specializuar për zemrën, për të kontrolluar futbollistët e tyre, dhe për të përgatitur më mirë planin e stërvitjes dhe të aktivizimit.
Jo më kot, që nga viti 2015 e deri më sot kanë humbur jetën më shumë se 30 lojtarë në të gjithë botën, shumica nga problemet e zemrës. Klubet kanë edhe një plan tjetër, që po e diskutojnë me televizionet, për të cilin besohet se është dakord edhe qeveria. Ndeshjet duhet të jepen në televizion pa pagesë, kjo për të ruajtur distancimin shoqëror dhe për të shmangur mbledhjen e tifozëve në shtëpitë e njëri-tjetrit. /abcnews.al