“Shikoni si shkëlqen Flamurtari”/ Tifozët i kujtojnë 8 golat, Gjika: Po Roma të shkrihej?!

schedule14:18 - 21 Prill, 2020

schedule 14:18 - 21 Prill, 2020

Shpëtim Gjika, ish-kryebashkiaku i Vlorës, gjatë kohës që ishte në krye të institucionit u mundua shumë që të fitonte titullin kampion, por nuk ia doli dot. Në vitin 2011 ishte shumë pranë, madje pati edhe një diferencë të madhe me Skënderbeun, por më pas pati shumë zhvillime dhe vlonjatët rrëshqitën dhe e lëshuan vendin e parë, me korçarët që triumfuan dhe ngritën trofeun.

Gjika është bërë nostalgjik, duke postuar një foto nga Flamurtari i vitit 2009, që luajti në kupat e Europës kundër Motherwell në Skoci. “Ekipi i Flamurtarit në aeroportin e Rinasit, përpara nisjes në Skoci në kuadër të pjesëmarrjes për Europa League 2009! Një klub serioz fillon qysh me ‘look’-un e ekipit! Shikoni si shkëlqejnë çunat, të gjithë të veshur me kostumin e ofruar nga drejtuesit!, shkruan Gjika.

Sigurisht që ia kujtojnë edhe tetë golat e pësuar dhe ish-presidenti i Flamurtarit shkruan: “Rezultati ishte shumë zhgënjyes. Gjithsesi, asnjë nga aludimet nuk qëndron dhe flas me përgjegjësi dhe me moralin e nderin tim! Arsye të tjera, teknike, po! Gjithsesi ishte një zhgënjim që na u bë mësim për më vonë”. Replikat për atë ndeshje vijuan dhe Gjika i përgjigjet një tifozi.

“Po Roma që u mund në Angli 8-1, duhet të ishte shkrire fare! Gjithsesi e thashë, ishte zhgënjyese! Por duhet të mirëkuptojmë veç të tjerash edhe mungesën e eksperiencës. Çunat ishin të rinj dhe për herë të parë ballafaqoheshin në Europë. Megjithatë, për ta harruar sadopak, kujto ndeshjen e parë në Vlorë, ku shkëlqyem dhe fituam”, shkruan ish-kreu i Flamurtarit. /abcnews.al

 

Komentet