Seuli për sanksionet: Është herët për të folur për optimizëm

schedule16:55 - 7 Mars, 2018

schedule 16:55 - 7 Mars, 2018

Koreja e Jugut thotë se është shumë herët për të folur për lehtësimin e sanksioneve ndaj Veriut, pasi lideri Kim Jong Un shprehu vullnetin e tij për pezullimin e programeve raketore dhe bërthamore. Ky vendim është mbështetur edhe nga Trump.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in tha se sanksionet ndaj Koresë së Veriut nuk do të lehtësohet në sajë të samitit mes dy vendeve, ndërsa media shtetërore e Kinës përsërit qëndrimin e Pekinit që bisedimet janë mënyra e vetme për t’i dhënë fund polemikave bërthamore. Zyrtarët e Jugut u takuan me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un. Ky i fundit shprehu dëshirën për denuklarizimin e vendit nëse garantohet siguria e regjimit komunist.

Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump nënvizoi se Pheniani duket i sinqertë në dëshirën për pezullimin e testeve nukleare dhe mbajtjen e bisedimeve për denuklarizimin me Shtetet e Bashkuara. Tensionet arritën një nivel shumë të lartë vitet e fundit lidhur me programin raketor dhe bërthamor të Koresë së Veriut, të cilat i zhvillon në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurisë së OKB-së.

Si Trump edhe Kim Jong-un kanë përdorur vazhdimisht retorikë luftënxitëse në kërcënimet kundër njëri-tjetrit. Koreja e Veriut ka shtyrë përpara planet e saj për të zhvilluar një raketë bërthamore të aftë për të goditur Shtetet e Bashkuara. Megjithë frikën e kaluar nga testet raketore, tensionet u ulën muajin e kaluar, për shkak të pjesëmarrjes së regjimit komunist në Lojërat Olimpike Dimërore që u zhvilluan në Jug. Ndërkohë, i njëjti delegacion që ishte në Phenian ka udhëtuar për Uashington ku do të diskutohet pikërisht lidhur me dialogun me Korenë e Veriut./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!