Harry dhe Meghan, letër tabloidëve britanike: “Nuk ka më bashkëpunim”

schedule16:00 - 20 Prill, 2020

schedule 16:00 - 20 Prill, 2020

Princi Harry dhe Meghan Markle kanë bërë të ditur së fundmi se nuk do të merren më me tabloidë. Çifti u dërgoi një letër tabloidëve britanikë si: The Sun, Daily Mail dhe Express duke iu thënë se skuadra e tyre e marrëdhënieve me publikun nuk do t’u përgjigjet më kërkesave të tyre, duke theksuar se s’do të kenë më asnjë angazhim me ta.

Harry dhe Meghan thonë se ata refuzojnë të “ofrojnë veten e tyre si monedhë për një ekonomi të klikimeve dhe shtrembërimeve”. Ata gjithashtu akuzuan mediat e sipërpërmendura se kishin publikuar artikuj të shtrembëruar, falsë apo invazivë përtej çdo arsyeje.

“Ka një kosto të vërtetë njerëzore në këtë mënyrë të bërjes së biznesit dhe ndikon në çdo qoshe të shoqërisë. Duka dhe Dukesha e Sussex-it kanë parë njerëz që njohin, si dhe të huaj, që kanë ndërhyrë në jetët e tyre vetëm sepse thashethemet banale nxisin të ardhurat nga reklamat,” –thuhej në letër sipas BBC.

“Nuk bëhet fjalë për të mbyllur bisedat publike apo për të censuruar raportimet. Mediat kanë çdo të drejtë të raportojnë, si dhe të kenë një opinion për Dukën dhe Dukeshën e Sussex-it, të mirë apo të keq. Por s’mund të bazohet në një gënjeshtër.”

Letra thoshte se çifti do të vazhdojë të punojë me media të tjera dhe “gazetarë të rinj, të ardhshëm” për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet dhe shkaqet për të cilat interesohen.

Tani Harry dhe Meghan jetojnë në Kaliforni, pasi u larguan nga Mbretëria e Bashkuar. Një vendim që erdhi pas bullizimit të Meghan-it nga tabloidët britanikë. Çifti paditi Mail on Sunday, pasi publikoi një letër private që Meghan i kishte dërguar të atit, duke hequr pjesë nga letra për ta bërë Meghan-in të dilte keq./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!