Acari pushton Britaninë, bllokohen transportet në Irlandë e Skoci

schedule20:59 - 2 Mars, 2018

schedule 20:59 - 2 Mars, 2018

Moti i acartë vazhdon të godasë Britaninë. Në orët e fundit ai është përplasur në Irlandë dhe Skoci, ku ka krijuar një paralizë në sistemin e transporteve, ndërsa në Angli është regjistruar viktima e radhës.

Stuhia e dëborës që ka përfshirë Britaninë ka goditur në orët e fundit Irlandën dhe Skocinë, duke detyruar autoritetet të mbyllin institucionet dhe që banorët të qëndrojnë të mbyllur në shtëpitë e tyre. Në disa zona, kryesisht në jug të Britanisë, është thirrur ushtria për t’i bërë ballë pasojave të motit, i konsideruar më i keqi në 30 vitet e fundit.

Pas stuhisë “Bisha nga lindja”, jugu i Mbretërisë së Bashkuar është goditur nga stuhia “Ema”, që ka ardhur nga jugu duke bllokuar rrugë, hekurudha dhe duke lënë avionët në tokë. Niveli i dëborës në Irlandë dhe Skoci ka arritur deri në 90 centimetër dhe në orët e pikut ka lënë pa energji mbi 100 mijë shtëpi e biznese. Stuhia ka mbyllur gjithashtu edhe bursën irlandeze, si dhe shkolla e zyra qeveritare, në një kohë kur alarmi i kuq do të vazhdojë të qëndrojë në fuqi.

Ndërkohë, në kontenë Kornuoll të Anglisë një vajzë 7-vjeçare humbi jetën pasi një makinë doli nga rruga dhe u përplas me shtëpinë e saj për shkak të akullit. Në stacionet hekurudhore, pasagjerë të shumtë janë detyruar të flenë nëpër sedilje, apo në vendet e bagazheve për shkak të bllokadës. Në disa pjesë të Mbretërisë së Bashkuar është dashur ndërhyrja e ushtrisë për t’i hapur rrugën disa qindra automjeteve të bllokuara në dëborë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!