“I njëjti film, e njëjta histori” ka qenë një nga koreografitë në derbi dhe më pas një slogan në kampin e kuq, sa herë luanin me Tiranën. Partizani, për gati 6 vite nuk humbiste me rivalët e kryeqytetit. Do vinte dita kur “demat” do rrëzoheshin dhe kështu ka ndodhur.
Këtë sezon Tirana ia doli të gëzonte, madje me një rezultat të thellë, 5-1. Te Partizani për momentin janë kokulur, edhe pse në bilancin e përgjithshëm fitoret i kanë më të shumta. Gjithsesi humbja e fundit në derbi nuk është harruar.
Një plagë, që te Tirana mendojnë ta ngacmojnë përmes një videoje. “Film me metrazh të shkurtër. Ne jemi Tirona! Tirana – Partizani 5-1, 28.02.2020 #neverforget”, shkruan klubi bardheblu, që ka postuar golat dhe festën në fund, ku u tregohet rivalëve shuplaka prej pesë golave të realizuar. /abcnews.al