Kyrian Nwabueze “joshet” nga klubi turk, tani duhet bindur Laçi

schedule10:20 - 19 Prill, 2020

schedule 10:20 - 19 Prill, 2020

Menemenspor, pasi afroi në skuadër Gentian Selmanin dhe David Domgjonin, tashmë kërkon ta bastisë Laçin. Portierin turqit e afruan falas, me kurbinasit që u treguan tolerantë duke mos kërkuar as taksën e formimit, kurse për mbrojtësin paguan në janar.

Përfaqësuesit e skuadrës turke e kanë ndjekur Laçin jo vetëm në takimin kundër Hapoel Beer Sheva në Europa League. Një delegacion i tyre ka qenë edhe në takimin e luajtur me Partizanin në “Elbasan Arena”. Sigurisht që atyre u ka rënë në sy edhe sulmuesi Kyrian Nwabueze.

“Yenaisir” shkruan se stafi teknik e ka parë më vëmendje sulmuesin dhe drejtuesve u është përçuar një raport pozitiv. Mes të tjerash thuhet se Nwabueze e ka mirëpritur një ofertë të Menemenspor. Gjithsesi nuk duhet harruar se sulmuesi është në kontratë edhe për një sezon me Laçin.

Kurbinasit kanë marrë disa oferta në janar, madje njëra prej tyre mjaft e kënaqshme. Gjithsesi presidenti Pashk Laska nuk e ka parë të arsyeshme të heqë dorë nga një prej lojtarëve më të mirë të Superiores, pasi kurbinasit kërkojnë pjesëmarrjen në kupat e Europës dhe Nwabueze është i domosdoshëm.

Në verë mund të bisedohet për transferimin e tij jashtë vendit, por zor se Menemenspor do arrijë të bëjë ofertën e duhur. Gjithsesi mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më autorin e 17 golave me fanellën bardhezi në tre faza kampionat. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!