“Abc News” të enjten ndali një tragjedi në një nga hotelet në Korçë ku janë strehuar shqiptarët e kthyer nga Greqia. Flamur Latifllari nga Vërdova nuk e donte më jetën pasi vetë është mbyllur në hotel dhe familjes së tij i kanë ndërprerë ndihmën ekonomike.
Ai ishte i gatshëm që të hidhej nga dritarja e hotelit, por gazetarja e “ABC News” i premtoi se do të shkonte në Pogradec për tu marrë me këtë çështje. E premtimi u mbajt.
Grupi i xhirrimit fillimisht vizitoi zonjën e shtëpisë që mes lotësh tregoi problemet e thella ekonomike dhe shëndetësore me të cilat përballet tashmë e vetme me vajzën e saj.
“Shkoj të marr ndihmën e konomike dhe ma kishin ndërprerë. 50 mijë marr në muaj. Shkova u ankova në Komunë dhe më thanë e ke nga Korça, nuk të kap pikëzimi. Por, buka nuk hahet me pikëzime. Erdhën fotografuan në shtëpi e panë të arsyeshme dhe vendosën asistencën, në krye të tre viteve e kishin hequr. Unë jam po në të njëjtën gjendje, vajzën e kam studente, qiratë ia paguaja”, shprehet ajo.
Familja Latifllari ka edhe një djalë që dhe ai ka mbetur i bllokuar në Itali pasi dhe vendi i punës i është mbyllur.
“Djali mbeti në Itali, më kërkonin 250 euro, ti kaloja në bankë dhe të vijë të rezervojë hotelin. Ai për ato euro u largua, të paktën ti sjellin në shtëpi, mos ti prishin dhe ato para”, shprehet ajo.
“Abc News” ju drejtua njësisë administrative Buçimas për të mësuar për arsyen se përse kësaj familjeje pas tre vjetësh ju ndërprerë ndihma ekonomike në një kohë që gjendja e tyre financiare është po njëlloj. Alfons Olldashi administrator dha këtë përgjigje.
“Konstatova se këtij personi i është ndërprerë ndihma ekonomike në datën 25 mars të këtij muaji që kalojë. Ky person ka që në vitin 2018 që trajtohet me ndihmë ekonomike dhe arsyeja që sistemi nxjerr është se nuk ka marrë pikët e mjaftueshme. Kam komunikuar me Drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social në Korçë dhe më është komunikuar që të gjithë personat që janë djegur për këtë arsye do të vijnë muajin pasardhës nga data 1 deri në datën 10 që të aplikojnë sërish”, tha Olldashi.
Të zhgënjyer nga kjo përgjigje u larguam me shpresën se më kthimin e burrave të shtëpisë në banesë nënë e bijë do të kenë më shumë mundësi për tu ushqyer, pasi ata mund të gjejnë një punë./abcnews.al