Debate të ashpra karakterizuan seancën e sotme parlamentare në Kosovë, ku kryeministri Ramush Haradinaj ishte kërkuar në interpelancë nga opozita për cështjen e rritjes së pagave.
Seanca e parlamentit të Kosovës ku në rend dite ishte interpelanca me kryeministrin Haradinaj për çëshjten e rritjes së pagave, ka nisur me debate të ashpra.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagës së kryeministrit dhe kabinetit të tij e po ashtu rritjen e pagave për 4% të punëtorëve në sektorin publik dhe rritjen e skemës sociale për 20%, raporton “Zeri.info”.
Ata kane kërkuar që ky vendim të shfuqizohet menjëherë.
Avdullah Hoti shef i grupit parlamentar të LDK-së në emër të partisë ka kërkuar anulimin e këtij vendimi dhe që projektligji për pagat të sillet në Kuvend.
Avdulla Hoti, Kryetar i Grupit Parlamentar, LDK: “Vendimi për rritjen e pagave është i pamatur. Meqenëse paga e kryeministrit është dyfishuar atëherë edhe pagat e gjithë qytetarëve duhet të rriten. Ne kërkojmë që të anulohet ky vendim menjëherë dhe të sillet në Kuvend ligji për pagat”.
Edhe lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Albulena Haxhiu nga lëvizja “Vetëvendosje”, tha se ky vendim është i gabuar.
Albulena Haxhiu,Vetëvendosje: “Kemi propozuar shfuqizimin e vendimit për pagat. Dhe asistenca sociale të përshtatet në varësi të lëvizjes së çmimeve”
Kryeministri Haradinaj nga ana e tij ka reaguar duke thënë se nuk është normale që kryeministri dhe kryeprokurori I një vendi të renditen në vendin e 69 në listën e pagave
Ramush Haradinaj, Kryeministër i Kosovës:“Rritja e pagave të kabinetit qeveritar ka ndodh me një vendim të Qeverisë dhe si i tillë ka mundësuar nivelizimin e pagave. Numër 69 është kryeministri juaj në bazë të pagës që merr. Nëse është në rregull kështu pajtohem, por në bazë të barrës që mban kryeministri s’mund të jetë numër 69. Ky vendim i rritjes së pagave unë e kam parë vlerësimin e AKK-së dhe pres sido që të vendos gjykata. Po e lëmë kryeministrin e ministrat, por kryeprokurorin ta lëmë në numrin 69? Ndërsa sa i përket skemës sociale i kemi obligim s’jemi lavdëruar asnjëherë me to”. /abcnews.al