Pandemia e Coronavirusit ka shkaktuar pasoja të mëdha, sidomos në aspektin financiar. Shumë njerëz kanë humbur vendin e punës, kurse të tjerëve u janë ulur pagat. Edhe në botën e futbollit kështu ndodh. Ndonëse për futbollistët mund të jetë e përballueshme prej pagave të larta, nuk ndodh kështu me punonjësit e tjerë nëpër klube.
Në Angli disa i kanë dërguar në shtëpi punonjësit dhe është shteti që u jep atyre 80% të pagës për këtë periudhe, por ka edhe klube të tjera që nuk kanë vepruar kështu. Stoke City është një prej tyre, që i ka siguruar punëtorët se për pesë muaj pagat e tyre janë të garantuara.
Jo vetëm kaq, pasi pronari i Stoke City, Denise Coates, ka dhuruar edhe 10 milion sterlina për të mbështetur stafin e Royal Stoke & County Hospital, që po mundohen të kujdesen për njerëzit e prekur nga COVID-19, që në Britaninë e Madhe sa vijnë e shtohen. /abcnews.al