Foto/ Kush janë dy vrasësit e dyshuar të biznesmenit Begalla

schedule13:27 - 26 Shkurt, 2018

schedule 13:27 - 26 Shkurt, 2018

Denis (Alban) Demiri dhe Ardian Serezi janë dy vrasësit e dyshuar të biznesmenit Memli Begalla, që u ekzekutua më 14 Shkurt në Tiranë, poshtë pallatit ku banonte.

Në rolin e ekzekutorit direkt ka qenë 43-vjeçari Denis Demiri (personi që shikoni në foto), person me precedent të mëparshëm penal. Në vitin 2012 ai u arrestua nga Policia e Tiranës pasi dyshohet se po përgatiste vrasjen e një personi me të cilin kishte konflikt. Para këtij viti, ai ka qenë i dënuar edhe për vrasje të mbetur në tentativë, armëmbajtje pa leje dhe vjedhje me armë. Ndërsa 49-vjeçari Ardian Serezi ka qenë bashkëpunëtori i tij, personi i dytë që duket në kamerat e sigurisë së zonës.

Ardian Serezi ka qenë punonjës policie, i cili ka shërbyer në Drejtorinë e Shfrytëzimit të Automjeteve në Tiranë. Ai është arrestuar në vitin 2014 me 1 ton kanabis për trafik droge nga Lazarati drejt Tepelenës. Në atë kohë, ai është denoncuar edhe nga deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka, i cili tha se është i afërt me Saimir Tahirin.

Zyrtarisht sipas policisë, shkak i vrasjes së Memli Begallës mendohet të kenë qenë borxhet e pashlyera, të cilat viktima u kishte personave të tjerë. Memli Begalla ka qenë biznesmen gomash. Ai zotëronte biznese në Yzberisht dhe në autostradën Tiranë-Durrës. /tvklan.al