Koronavirusi, Manastirliu: Mos mendoni se ia hodhëm, qeveria do forcojë masat

schedule17:18 - 4 Prill, 2020

schedule 17:18 - 4 Prill, 2020

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, me anë të një daljeje direkte në llogarinë e saj në Facebook u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e distancimit social.

Sipas saj, lufta nuk ka mbaruar ende dhe për këtë arsye nuk duhen neglizhuar masat shtrënguese. Ajo shton se nëse “mendoni se ia hodhëm, e keni gabim.”

Manastirliu u shpreh:

“Që prej fillimit të epidemisë, Shqipëria ka një kurbë në rritje të moderuar të numrit të të prekurve. Sikundër është fakt se Tirana ka sot disa vatra të reja të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID19. Shkodra ka vatër të re. Po ashtu Fieri, Durrësi, Elbasani dhe Kavaja. Falë masave të distancimit social të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, sot kemi një numër të prekurish dhe viktimash nga Covid 19, shumë herë më të vogël, se sa do të kish qenë ky numër, po të mos i kishim marrë këto masa.

https://www.facebook.com/OgertaManastirliu/videos/229641138091393/

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh gjithashtu se nuk do të bëhen hapa mbrapa në drejtim të masave të distancimit social.

Ajo u shpreh më tej:

Për fat të keq, në ditët e fundit, të gënjyer mbase nga krahasimi i shifrave të Shqipërisë me ato të vendeve të tjera, shumë prej jush do të kenë menduar se, ia hodhëm dhe kësaj lufte. Jo! E kundërta është e vërtetë. Jemi mu në mesin e një beteje që nuk është ndalur në asnjë moment, me një virus që sot, për shkencëtarë dhe mjekë në mbarë botën, ka më shumë të panjohura, se sa të njohura. Qeveria ka vendosur të forcojë masat, sidomos aty ku ka grumbullime njerëzish. Në tregje do të vendoset një korridor sanitar, për të ruajtur distancimin social, që është e vetmja mënyrë për ta dobësuar këtë virus të rrezikshëm. Një dobësi që të gjithë duhet ta shfrytëzojmë për ta vënë përfund”, tha Ministrja e Shëndetësisë.  Unë jam e sigurt që nuk është vonë për secilin prej nesh, që të shfaqim përgjegjshmëri shoqërore dhe kujdes për njëri tjetrin, duke bërë gjënë më të thjeshtë në botë: Të zbatojmë higjenën, të respektojmë distancat, dhe mbi të gjitha të bëjmë durim. Kjo është një luftë që do ta fitojmë. Por, vetëm bashkë.” /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!