Vendimi i qeverisë për shtyrjen e qirave nuk është mirëpritur nga agjentët imobiliar. Ilda Zaloshnja eksperte për pasuritë e patundshme thekson se kjo nuk është masa e duhur në një kohë që kontrata është një marrëdhënie midis palëve.
Ndërsa qiratë për shumë familje janë i vetmi burim të ardhurash.
“Mendoj që kjo është një marrëdhënie e ngushtë private e rregulluar me një kontratë të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë midis dy personave. Gjëja më e mirë për tu bërë është të zgjidhet me një marrëveshje midis dy palëve.
Do të ketë të dëmtuar, por gjëja më e mirë për tu bërë është marrëveshja midis qiradhënësve dhe qiramarrësve. Ka shumë pronar pronash që e kanë atë qira burim të ardhurash. Këtu mund të fus edhe pensionistë të cilët jetojnë në një shtëpi të vogël dhe kanë dhënë me qira shtëpinë e tyre më të madhe për ti shtuar diçka pensionit”, u shpreh ajo.
Problemin e zbatimit të këtij vendimi e shohin edhe në faktin se në tregun imobiliar ka një nivel të lartë informaliteti.
Përhapja e pandemisë së COVID-19 ka shkaktuar ngrirje të veprimtarisë në tregun imobiliar.
“Ajo që është më e rëndë është sepse nuk ka blerës të cilëve mund t’ju thuash të përfundojnë një transaksion disa dhjetëra apo qindra mijëra euro”, theksoi Zaloshnja.
Në vendimin e qeverisë përcaktohet se janë tre kategori që përfitojnë nga shtyrja e qirave Familjarët që kanë humbur punën nga koronavirusi; bizneset e vogla dhe studentët.
Në këtë mënyrë ata që përfitojnë nga shtyrja e kredive nuk do ta paguajnë atë për muajin prill dhe maj, por edhe për këtë duhet që të bien dakord me qiradhënësin për shlyerjen me këste sipas mundësisë ekonomike në një kohë të mëvonshme./abcnews.al



