Biznesi i vogël kërkon që të zgjerohet mbështjeta e qeverisë për këtë kategori. Sipas kreut të shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm për Tiranën, pas pandemisë rreziku më i madh do të jetë papunësia dhe falimentimi i bizneseve.
Ai sygjeron që të jepet edhe mundësia e kreditimit pasi shpeshherë bankat nuk i mbështesin. Ndërkohë në bankat e nivelit të dytë vijon radha e qytetarëve për të hapur një llogari.
Biznesi i vogël dhe i mesëm i bën apel qeverisë që të zgjerojë mbështetjen financiare për këtë kategori.
Paga prej 26 mijë lekëesh për të punësuarit në këtë kategori konsiderohet e pamjaftueshme. Shpëtim Agolli kryetar i shoqatës së biznesit të vogël e të mesëm për Tiranën thekson se pas kalimit të pandemisë problem më i madh për vendin do të jetë rritja e të papunëve, por edhe falimentimi i bizneseve të vogla.
“Krahas mbrojtjes së shëndetit tani paniku më i madh i njerëzve jo vetëm tek ne, por edhe në botë është frika nga papunësisa. Ndaj qeveria duhet të marrë masa drastike që ti paraprijë nesër ekonomisë që të mos ndodhemi në një kolaps të paparë”, u shpreh ai.
Ndërsa sygjeron që për biznesin e vogël e të mesëm të jepet edhe mundësia e kreditimit pasi shumë shpesh bankat nuk i mbështesin.
“Kemi kërkuar një mundësi kreditimi në të ardhmen për një plan afatgjatë, por me interesa zero për biznesin. Ne e dimë, shumë biznese të vogla kanë marrë kredi, ka nga ata biznese që kanë marrë kredi konsumatore sepse nuk plotësonin kushtet në bankë nga qarkullimi që kanë bërë, por të detyruar për të mbajtur biznesin gjallë.”
Në bankat e nivelit të dytë vijon radha e qytetarëve që hapin llogari bankare për të përfituar pagën prej 26 mijë lekësh.
“Kam ardhur për të marrë kompesimet mujore, sepse jemi pa punë”, shprehet një qytetar.
“Tani jam pa punë. Çfarë mund të bëj me ato para. Do të paguaj ujë, drita, qira apo do të ushqehemi. Çfarë mund të bëj më parë”, thotë një tjetër qytetar.
Aplikimi për të përfituar “pagën e luftës” ka nisur në datën 1 prill dhe nuk ka një afat për pranimin e kërkesave nga subjektet. Kjo ndihmë financiare parashikohet të jepet për tre muaj duke nisur nga muaji prill./abcnews.al