Shkencëtarët gjermanë do të studiojnë si përhapet koronavirusi duke hulumtuar nga afër të gjitha rastet e konfirmuara të qytetit më të prekur nga Covid-19, Heinsberg. Ata e kanë përshkruar qytetin si laborator, shkruan The Guardian
Virusi është përhapur gjerësisht në qytetin me afro 250,000 banorë, i cili ndohet në kufi me Hollandën. Së fundmi u bë me dije se rezultojnë 1,281 raste me Covid-19 në Heinsberg, nga të cilat 550 njerëz janë shëruar. Heinsberg po njihet edhe si “Wuhan-i i Gjermanisë”, referuar qytetit kinez ku shpërtheu pandemia. Në këtë vend, koronavirusi shpërtheu 2 javë më përpara se pjesa tjetër e vendit.
Gjatë javëve të ardhshme, një ekip prej 40 mjekësh të mjekësisë gjermane do të studiojnë rastet në Heinsberg, i cili do të shërbejë si një larborator i jetës reale. Hulumtimet do të bazohen te 1,000 njerëz të përzgjedhur si përfaqësues të popullatës gjermane.
Rezultatet do të përdoren për të krijuar një plan se çfarë mund të bëhet me virusin në javët e ardhshme, tha Prof. Hendrik Streeck, mjek virolog në Universitetin e Bonn-it.
Shkencëtarët do të shkojnë në 500 shtëpi, kopshte dhe spitale për të parë si përhapet infeksioni. Ata do të vërejnë jetën e përditshme, si fëmijët ua kalojnë të rriturve virusin, si përhapet brenda familjes – nga telefonat, mobiljet, dorezat e dyerve etj., – çfarë duhet të dimë për kafshët shtëpiake, a tranferohet përmes ushqimeve të caktuara dhe jo vetëm.
Duke testuar imunitetin ndaj Covid-19 të pjesëmarrësve të studimit, shkencëtarët gjithashtu do të jenë në gjendje të përcaktojnë se sa është numri real i rasteve të pazbuluara në mbarë vendin. Rezultatet e para pritet të bëhen publike javën e ardhshme, megjithëse i gjithë mbledhja e provave do të zgjasë disa javë dhe analiza e tij ka të ngjarë të zgjasë me muaj ose dhe vite./abcnews.al