Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kushtrim Kryeziu, shqiptari që po krijon mini-tumore në laborator për të sfiduar kancerin

schedule12:22 - 18 Nëntor, 2026

schedule 12:22 - 18 Nëntor, 2026

Një shqiptar në Norvegji po kontribuon në një prej betejave më të mëdha të shkencës moderne: luftën kundër kancerit. Dr. Kushtrim Kryeziu, biolog i qelizave molekulare dhe kërkues shkencor pranë Institutit për Kërkime mbi Kancerin në Spitalin Universitar të Oslos, është nderuar me çmimin prestigjioz “Ragnar Mørk 2026”, për kontributin dhe studimet e tij novatore në fushën e kërkimit shkencor mbi kancerin.

Një vlerësim i rëndësishëm për punën e tij dhjetëvjeçare, që shoqërohet edhe me një shpërblim prej 200 mijë koronash norvegjeze, rreth 10 mijë euro. Por çfarë e bën kaq të veçantë kërkimin e shkencëtarit shqiptar? Një nga drejtimet më interesante të punës së tij është krijimi i mini-tumoreve në laborator, duke përdorur inde të marra nga vetë pacientët. Përmes këtyre modeleve, studiuesit mund të testojnë medikamente të ndryshme dhe të vlerësojnë se cilat kanë më shumë gjasa të funksionojnë për një pacient të caktuar.

Kjo qasje synon të çojë përpara mjekësinë e personalizuar, duke e larguar trajtimin nga ideja se i njëjti medikament duhet të ketë të njëjtin efekt te të gjithë. Në fokus të kërkimeve të Kryeziut është edhe reagimi i qelizave të gjalla tumorale ndaj barnave specifike, me vëmendje të veçantë ndaj kancerit të zorrës së trashë. Një sëmundje ku diagnostikimi në kohë dhe përcaktimi i trajtimit të duhur mund të bëjnë diferencën mes jetës dhe vdekjes. Për këtë arsye, puna kërkimore zhvillohet në bashkëpunim me specialistë të fushave të ndryshme, nga patologët te kardiologët dhe inxhinierët.



Rrugëtimi i tij shkencor kalon përmes Austrisë, ku përfundoi studimet dhe doktoraturën, për të vijuar më pas në Norvegji, ku jeton dhe punon prej rreth dhjetë vitesh. Ky nuk është vlerësimi i parë për shkencëtarin shqiptar. Në vitin 2022 ai u shpall “Hulumtuesi i Vitit”, ndërsa në vitin 2023 mori çmimin “Early Career Award”.

Çmime që dëshmojnë një punë të vazhdueshme në një fushë ku çdo zbulim i ri mund të hapë rrugë për trajtime më të mira. Për Kushtrim Kryeziun, ky vlerësim është mbi të gjitha një motivim për të vazhduar kërkimet, me bindjen se puna e bërë në laborator mund të përkthehet nesër në më shumë shpresë dhe mundësi për pacientët. Nga Kosova në Norvegji, historia e tij është një tjetër dëshmi se talenti shqiptar mund të kontribuojë në nivelet më të larta të shkencës botërore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!