Çështja “Tahiri”/Letërporosi drejt Italisë

schedule14:53 - 23 Shkurt, 2018

schedule 14:53 - 23 Shkurt, 2018

Prokuroria për Krimet e Rënda ka dërguar një letërporosi drejt autoriteteve italiane të drejtësisë për llogari të hetimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Përmes saj prokurorët e Krimeve kërkojnë dëshminë e të arrestuare të dosjes “Habilaj”, mes të cilëve edhe të Moisi Habilajt dhe Nezar Seitit.

Aktet hetimore të përcjella nga drejtësia italiane, që shërbyen si themel për nisjen e një hetimi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duket se nuk i kanë mjaftuar Prokurorëve të Krimeve të Rënda.

Ditët e fundit ata kanë kërkuar sërish ndihmën e kolegëve të tyre në vendin fqinj.  Përmes një letërporosia, grupi i hetimit i ka kërkuar palës italiane t’u vendosë në dispozicion dëshmitë e anëtarëve të dosjes “Habilaj”, të arrestuar me urdhër të gjykatës së Katanias, si pjesë e një grupi narko-trafiku.

Sipas burimeve, ndër dëshmitë e kërkuara janë edhe ato të Moisi Habilajt, i dyshuar si drejtues i grupit kriminal, si edhe të Nezar Seitit, i cili u arrestua në Shqipëri.

Në letërporosi shpjegohet se, ndonëse u arrestua në Shqipëri dhe qëndroi për disa muaj deri në ekstradimin e tij në 25 janar 2018, Seiti pati refuzuar të japë shpegime rreth ccështjes. Për këtë arsye, grupi i hetimit, pret që të administrojë përgjigjet që ai do të japë gjatë ekzekutimit të letërporosisë nga hetuesit italianë.

Kjo letërporosi është e dyta për këtë hetim pas asaj të dërguar në Greqi disa javë më parë.

Hetimi ndaj ish-ministrit Tahiri për akuzën e “trafikut të narkotikëve” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “korrupsionit të zyrtarëve të lartë”nisi në tetor të vitit 2017.

Në janar 2018 Prokuroria për Krimet e Rënda shty edhe me tre muaj afatin e hetimeve ndaj tij. Ndërkohë Gjykata e Lartë është në pritje të shqyrtimit të ankimit të prokurorisë, mbi vendimin e Apelit të Krimeve të Rënda, e cila shfuqizoi masën e sigurisë “ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!