Të prekurve nga tërmeti i shtohet edhe frika nga koronavirusi, 61-vjeçari: Jetoj në skëterrë

schedule13:14 - 26 Mars, 2020

schedule 13:14 - 26 Mars, 2020

Jeton i vetëm duke rrezikuar jetën jo vetëm nga banesa e dëmtuar nga tërmeti, por dhe nga virusi i ri. E kemi fjalën për Mark Ndojin nga Laçi, i cili është invalid dhe i përket target grupit më të rrezikuar nga koronavirusi për shkak se vuan nga disa sëmundje kronike.

Është mjaft i informuar për rrezikun që i kanoset, por nuk ka asnjë mundësi që të jetojë në një ambient të pastër.

“Tani që ra virusi jam i trembur. Kam kaluar poliomelit akut, jam me diabet, me zemer dhe me tension. Rrobat mi lajnë fëmijët. Banjo vjen erë. Si mund të ha ushqim këtu tani që ka dalë edhe virusi”, shprehet ai.

61 vjeçari jeton vetëm me paratë e përfituara nga ndihma e invaliditeti që mer nga shteti. Ai tregon se sasia e parave nuk i mjafton dhe herë pas here i vijnë në ndihmë njerëz zëmërgjerë.

“Këtu është skëterrë, nuk më shërben asnjë”, tregon ai.

Marku ka kaluar një jetë shumë të vështrirë. Është përballur me sëmundjet, burgun, divorcin, po ja ka dalë të mbijetojë. Ndërsa sot meraku i tij i vetëm është që shteti ti sigurojë një stehim me kushte optimale.

“Kërkoj nga Bashkia e Laçit të më sigurojë strehim dhe ushqime sepse jam i vetëm”, thotë ndër të tjera Mark Ndoji.

Po nëse preket nga COVID-19, ai ka më shumë frikë se mund të infektojë fëmijët apo të afërmit e tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!