Allajbeu: Koronavirusi do të rikthehet në shtator

schedule23:43 - 25 Mars, 2020

schedule 23:43 - 25 Mars, 2020

Drejtori i Spitali Amerikan Klodian Allajbeu i ftuar në emisionin “Opinion” u shpreh se një studim i bërë së fundmi thotë se vdekshmëria nga Covid-19 mund të jetë më e vogël nga sa mendohej.

“Një studim që u publikua dje thotë që vdekshmëria mund të jetë më e vogël nga sa mendohej, 0.2 apo 0.3 përqind. Kjo vjen nga mangësia e testimeve”, tha ai.

Më tej ai u shpreh se pritet që virusi të shtyhet në Qershor për t’u rikthyer në Shtator.

“Mendohet se ashtu si në Britani edhe në Shqipëri, virusi ka ardhur para se të kapej. Një pjesë e jona e ka kaluar, pa e ditur dhe kjo situatë do të zgjasë deri nga fundi i majit apo deri në qershor. Mendoj që pas dy javësh do të jetë piku i kësaj gjëje. Është si një flake që ndizet dhe shuhet, por njerëzimi do të vazhdojë. Ajo që do të na ndodhë edhe ne, është që pas 2 javësh do të arrijmë pikun, do të preket një pjesë e popullatës, por nuk do të arrijë imunizimin e tufës. Virusi do të rikthehet në shtator prapë.

Imunizimi i tufës ndodh nëse 70% e popullatës e kalon, virusi nuk arrin të bëjë ciklin e tij. Ky virus do të rikthehet prapë në shtator. Do të jetë më i butë. Ajo që ne duhet të shohim, është të bëjmë një përllogaritje ku do të qëndrojmë ne për popullatën në fund të majit që të bëhemi gati për shtatorin, se kjo kaloi. 50 për qind e popullatës e kalon në qetësi, mortaliteti real i këtij virusi, sipas një studimi që u publikua dje në Zvicër, duke llogaritur dhe ata që e kalojnë në shtëpi, është 0.2 deri në 0.3 për qind. Problemi i këtij virusi është agresiviteti i tij për sistemin shëndetësor”, tha Allajbeu.