Situata e krijuar nga koronavirusi po shkakton probleme të mëdha me trafikun ajror në Europë duke anuluar fluturime të shumta. Nisur nga situata e krijuar, kompania WizzAir që bën linjën Memingen Gjermani-Tiranë nuk kreu sipas parashikimeve fluturimin e radhës ditën e sotme duke lënë në aeroport qindra shqiptarë.
Mes atyre që pritën disa orë në aeroportin e Memingenit është edhe kreu i partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka.
Në një lidhje telefonike me Abc News, Duka u shpreh se fluturimi ishte planifikuar në orën 07:00 të mëngjesit, por punonjësit e kompanisë WizzAir nuk janë paraqitur në punë nga frika e koronavirusit.
Kjo ka shkaktuar irritimin e udhëtarëve, të cilët njoftuan konsullatën shqiptare në Mynih si edhe ministrinë e Jashtme në Tiranë.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve është bërë i mundur fluturimi në orët e mesditës.
Siç shprehet Duka për Abc News, fluturimi do të bëhet në orën 13:30 pasi kompania Wizz Air u detyrua ta kryerjë pavarësisht hezitimit të punonjësve.
“Kam katër ditë në Gjermani. U paraqita sot në mëngjes në aeroport dhe avioni nuk u nis. Kjo, jo për shkak të koronavirusit, por sepse punonjësit nuk u paraqiten në punë. Kishte një neglizhencë të madhe nga kompania. Ndërhynë ministria e Jashtme dhe Konsullata në Mynih deri sa zgjidhën çështjen. Tani kemi bërë check in dhe do të nisemi”, u shpreh ai në një intervistë telefonike në Abc News. /abcnews.al