Kryesocialisti Rama mblodhi këtë të shtunë Asamblenë e PS në kuadër të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 2027 për bashkinë e Tiranës.
Rama prezantoi “Tirana 2030”, duke shtuar se kryeqyteti duhet të shndërrohet në një qytet me cilësi më të lartë jetese, ku qytetarët të kenë strehim, ujë 24 orë, transport urban cilësor dhe shërbime funksionale. Ai theksoi se bashkia duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të shihet thjesht si një institucion që mbledh taksa dhe vendos tarifa.
“Në Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës në vendin ku kërkohet orë e çast cilësi më e mirë jete, duhet t’ua bëjmë të dukshme njerëzve, të imagjinueshme pa vështirësi Tiranën ku një çift i ri gjen shtëpi, një i moshuar ecën në trotuar i papenguar, çdo familje në Kombinat apo kudo tjetër pret të kthehet në shtëpi pas tërmetit, ka çelësat në dorë, ku uji 24 orë nuk është në një pjesë, por në çdo cep.
Tiranën ku mbetjet dhe riciklimi i tyre nuk janë hall për shumë zona, transporti urban nuk është dhimbje koke. Kjo është Tirana 2030, që do të jetë realiteti i secilit që sot këto që thashë i kërkon, se i sheh të parealizuara.
Tirana 2030, ku shtëpitë e vjetra nuk bëhen pallate, por bëhen muze, janë bërë muze sepse është një rrjet i tërë në atë drejtim. Bashkia nuk shihet si taksambledhës që shpik tarifa.”



