Romanisti Bruno Dita: Pafajësia e Skënderbeut, lajm i mirë për Shqipërinë

schedule16:16 - 17 Mars, 2020

schedule 16:16 - 17 Mars, 2020

Bruno Dita ishte në qendër të vëmendjes në merkaton e janarit. Tirana e Teuta e tentuan, por ai mbeti pjesë e Skënderbeu. Mesfushori, i cili për shumë kohë është dashur ra ndihmojë skuadrën në qendër të mbrojtjes, tregon se sekreti i formës së tij të mirë është puna.

“Bëj maksimumin çdo ditë në stërvitje dhe normalisht që me punë arrihet çdo gjë. Gjithsesi pa ndihmën e ekipit është e pamundur dhe ata kanë dhe një pjesë të suksesit”, shprehet Dita në intervistën e dhënë për “Albeu.com”. Sigurisht nuk mund të mos fliste për qëndrimin te Skënderbeu.

“Kam kontratë deri në maj dhe vendosa të jem korrekt i asaj kontrate. Në Korçë është një super ambient, ku çdo futbollist do dëshironte të punonte gjatë karrierës së tij. Është edhe një qytet i këndshëm, me njerëz shumë të dashur, sidomos për futbollin”.

LEXO EDHE: “Gol në shtëpi”, Bruno Dita dhuron spektakël si… Leo Messi (VIDEO)

Dita ka mbajtur shiritin e kapiteni, që më pas ia dorëzoi Bajram Jashanicës. Një gjest për t’u vlerësuar ai i mesfushorit. “Normalisht ishte një vlerësim që m’u dha shiriti i kapitenit, por do të thosha se është një përgjegjësi shumë e madhe ta mbash atë”.

Më tej mesfushorin tregon se ka një marrëdhënie të mirë me presidentin Ardjan Takaj dhe se po mundohet ta mbajë trupin në formë tani që kampionati është pezulluar. I pyetur në lidhje me çështjen që Skënderbeu ka me UEFA-n, Dita thotë mendimin e tij.

“Ne kemi për detyrë të japim maksimumin në fushë për të arritur vendet që të dërgojnë në Europë. Më pas është klubi që merret me këtë pjesë, por normalisht të gjithë besojnë se do fitohet pafajësia dhe shpresojmë që kështu të ndodhë.

 

Kjo nuk është gjë e mirë vetëm për Skënderbeun dhe Korçën, por është e mirë për të gjithë futbollin në Shqipëri. Skënderbeu është një ekip që këto vitet e fundit ka bërë histori, jo vetëm këtu, por edhe në Europë, Është e vështirë, edhe për shumë vite mendoj, që ta arrijë ndonjë klub tjetër në Shqipëri”.

E veçanta e Ditës është se ai është tifoz me Romën. Kuptohet që arsyeja është Totti: “Tifoz jam me Romën, por jo nga ata të flaktit. Arsyeja që jam tifoz ishte idhulli im, Francesco Totti. Tani që e ka lënë ndjek më shumë Liverpool dhe Barcelona, prej lojës së bukur që zhvillojnë”.

Në fund pyetja më e vështirë: Messi apo Ronaldo? Dita shprehet kështu: “Të dy do thosha, nuk ndahen. Janë dy super futbollistë, të cilët i kanë dhënë shumë futbollit. Mesi është jashtëtokësor, por Ronaldo është shembulli më i mirë se ku mund të arrijë një sportist me punë dhe përkushtim”. /abcnews.al