Koronavirusi LIVE/ Gjonaj kërkesë Institucioneve të Drejtësisë: Merrni masa, kujdes nga mbipopullimi i burgjeve

schedule17:40 - 17 Mars, 2020

schedule 17:40 - 17 Mars, 2020

17: 35 CoVid-19, Gjonaj kërkesë Institucioneve të Drejtësisë: Merrni masa, kujdes nga mbipopullimi i burgjeve

Ministria e drejtësisë me anë të një kërkesë i është drejtuar institucioneve të drejtësisë, Prokurorisë, KLGj dhe KLP për nxjerrjen e udhëzimeve mbi aplikimin e masave dhe dënimeve penale alternative.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, këto institucione duhet të marrin masa, që në këtë situatë të jashtëzakonshme që ka shkaktuar pandemia globale,  të aplikojnë politika e strategji të atilla që të mos tejmbushjen burgjet.

Po ashtu Gjonaj kërkon angazhim maksimal të të gjithë institucioneve të drejtësisë për të parandaluar rritjen e numrit të të burgosurve.

Ministrja e Drejtësisë thekson se ekziston mundësia që personat të cilët vuajnë dënimin të infektohen nga ata që hyjnë rishtaz në sistemin penitenciar, për këtë shkak kërkohet zbatimi i alternativave të dënimit me burgim për aq sa është e mundur.

Kërkesa e plotë e Ministres së Drejtësisë:

“Të nderuar,

Duke marrë shkas nga situata e jashtëzakonshme në të cilën ndodhet vendi ynë, Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash të rëndësishme me qëllim parandalimin dhe frenimin e përhapjes së së virusit Covid -19 i cili ka shkaktuar një pandemi globale, të deklaruar si e tillë nga Organizata Botërore e Shëndetit në datën 11 mars 2020.

Ministria e Drejtësisë, pas një pune paraprake të kryer nga strukturat e saj, si dhe në vijim të vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka marrë një sërë masash të shtuara për të gjitha institucionet e varësisë, në mënyrë specifike për sistemin penitenciar në të cilin mbahen e trajtohen një numër i madh personash të dënuar e të paraburgosur, me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga virusi Covid-19.

Në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, aktualisht janë të akomoduar rreth 5200 persona të burgosur, nga të cilët 2600 janë të dënuar dhe 2600 janë të paraburgosur. Në këto institucione janë të punësuar 4050 punonjës, të cilët për shkak të natyrës së punës së tyre, do të vijojnë të jenë në shërbim, me tri turne, duke i siguruar kushtet dhe mjetet e nevojshme për mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe të personave që ndodhen në institucion, me qëllim parandalimin e përhapjes së infektimit nga virusi Covid-19.

Në kushtet e përshkallëzimit të situatës dhe nevojës për të siguruar në mënyrë sa më efektive mbrojtjen e shëndetit të personave të cilët vuajnë dënimin dhe të paraburgosurve, si dhe vështirësitë në administrimin e situatës dhe nevojave të cilat vijnë në rritje, pavarësisht masave të marra, kërkohet bashkëpunimi i të gjitha institucioneve shtetërore, përfshirë këtu edlie ato të sistemit gjyqësor, në marrjen e masave për të aplikuar politika e strategji të cilat do të ndihmojnë në këtë situatë për administrimin sa më të mirë të institucioneve penitenciare, por njëkohësisht pa cënuar masat e sigurisë në to.

Në kuadër të këtyre masave, kërkojmë nga ana juaj udhëzimin dhe orientimin e gjykatave dhe prokurorive për të patur në vëmendje dhe për të inkurajuar zbatimin e alternativave të dënimit dhe aplikimin e masave shtrënguese të ndryshme nga masa e arrestit me burg për personat nën hetim apo të pandehur, sipas parashikimeve ligjore, përdorimin më të shpeshtë e më të gjerë të tyre, duke patur parasysh dhe faktin që, në praktikë, alternativat e dënimit me burgim janë përdorur shumë rrallë dhe prija ka qenë kryesisht drejt dënimit me burgim për llojet e dënimeve dhe arrestit në burg për llojet e masave shtrënguese të personit.

Kërkojmë angazhimin tuaj maksimal, për të vepruar në një kohë sa më të shpejtë, me qëllim parandalimin e rritjes së numrit të personave që vuajnë dënimin në institucionet e vuajtjes së dënimit, kjo dhe në kuadër të nevojës së përballimit të pandemisë globale me të cilën po përballemi dhe rrezikut që ekziston për infektimin e personave që ndodhen aktualisht në këto insitucione nga personat që futen rishtazi.

Për sa më sipër Ministria e Drejtësisë, si autoriteti përgjegjës për menaxhimin dhe monitorimin e sistemit penitenciar, vlerëson disponibilitetin tuaj për të bashkëpunuar për përballimin me sukses së kësaj situate delikate, duke zbatuar për aq sa është e mundur dhe ligjore, alternativat e dënimeve me burgim apo masave shtrënguese të ndryshme nga arresti në burg ndaj personave nën hetim apo të pandehur.

Duke ju falënderuar për bashkëpunimin,”, thuhet në kërkesën e Gjonajt.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetin social “Facebook” duke i bërë thirrje qytetarëve që të jenë sa më bashkëpunues për të përballuar këtë situatë. Rama thekson se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen, madje ai i bën thirrje personave që janë në Itali të japin sa më shumë mesazhe mbështetëse duke shpjeguar edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhet vendi atje.

Kryeministri i drejtohet me një apel personave që mesa duket nuk e kanë marrë seriozisht situatën dhe nuk i janë bindur masave të marra.

“Ju lutem shkruani sa të mundeni, kurdo e kudo mundeni përmes “Facebook” dhe flisni sa më shumë nëpër telefona të afërmve e miqve tuaj këtu në Shqipëri, jepuni kurajo e forcë duke u thënë të vërtetën! ndihmoni që ata që s’e kanë kuptuar apo s’duan ta kuptojnë akoma, që jemi në një luftë të vërtetë dhe ankohen sikur jemi në një lojë kukamçefti, të vijnë sa më shpejt në vete e të mbledhin mendjen”, shkruan Rama

Statusi:

? FALEMINDERIT NGA THELLËSIA E ZEMRËS TË GJITHËVE JU QË JENI NË ITALI DHE SHKRUANI NË FAQEN TIME FJALË TË NDJERA, TË MENÇURA, TË VËRTETA NGA ZONA E DHIMBJEVE MË TË MËDHA TË LUFTËS?

? JU LUTEM SHKRUANI SA TË MUNDENI, KURDO E KUDO MUNDENI PËRMES FEJSBUKUT TUAJ DHE FOLUNI SA MË SHUMË NËPËR TELEFONA TË AFËRMVE E MIQVE TUAJ KËTU NË SHQIPËRI, JEPUNI KURAJO E FORCË DUKE U THËNË TË VËRTETËN! NDIHMONI QË ATA QË S’E KANË KUPTUAR APO S’DUAN TA KUPTOJNË AKOMA, QË JEMI NË NJË LUFTË TË VËRTETË DHE ANKOHEN SIKUR JEMI NË NJË LOJË KUKAMÇEFTHI, TË VIJNË SA MË SHPEJT NË VETE E TË MBLEDHIN MENDJEN!

? VIVA L’ITALIA??RROFTË SHQIPËRIA??

15:15 Kontrolle në të gjithë vendin/ Abuzuan me çmimet, procedohen 4 persona

Në Tiranë, janë proceduar 4 administratorë subjektesh, të cilët kishin abuzuar me çmimet në tregun agroushqimor në Kashar, Tiranë, nëpërmjet përpilimit të faturave fiktive.

Policia bën me dije se vazhdojnë kontrollet e pandërprera për të bërë të mundur parandalimin dhe goditjen në rast të auzimeve të çmimeve të 2 medikamenteve, produkteve ushqimore dhe fruta-perimeve.

15:09 Mësues me koronavirus në shkollën e vajzës, vetëkarantinohet gazetarja e Abc News

Në celularët e prindërve të nxënësve të shkollës jopublike “Omiros” në Korçë ka mbërritur një mesazh nga drejtoria e shkollës që i ka alarmuar të gjithë.

Një arsmitar ka rezultuar me koronavirus. Abcnews.al mëson se bëhet fjalë për një mësues grek. Ai ndodhet në Greqi dhe po mjekohet atje.

Gazetarja e Abc News, Lediona Xheladinaj është prind i një prej nxënësve dhe pas lajmit ajo dhe familja e saj u vëtëkarantinuan. Xheladinaj raporton se është skandaloze që prindërit dhe nxënësit njoftohen 4 ditë me vonesë nga momenti kur arsimtari ka dalë pozitiv. Në njoftimin e shkollës citohet, se “Omiros” u mbyll 4 ditë përpara se mësuesi të shfaqte shenjat. Po ato pak orë para urdhrit të Ministrisë së Arsimit mësuesi ka patur kontakt me shumë nxënës apo kolegë.

14:33 “Mirë virusi po s’të lë as 7×7=42-shi”, Rama-Bashës: Fli o xhan fli se të erdhi dita

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me ironi kryedmeokratit Lulzim Basha për planin ekonomik që ka propozuar ky i fundit.

Mirë virusi e mirë gjithë ky mal me halle mbi kokën e popullit, po s’të le as 7×7=42-shi me masat fantastike që i përsërit duke folur në gjumë! Fli o xhan fli se të erdhi dita po pas duarve laj edhe sytë që ta kuptosh se je zgjuar e mos i tregosh miletit si duket virusi nga hëna!”, shkruan Rama në twitter.

Basha ka propozuar 8 pika, të cilat sipas tij janë për tu ardhur ne ndihmë familjeve dhe bizneseve në këto ditë ku është izoluar i gjithë vendi.

Në masat e propozuara nga PD, shihet se kërkesa kryesore është pezullimi dhe fshirja e pagesave nga bizneset e vogla dhe nga qytetarët e prekur nga situata e koronavirusit.

13:47 “Duhet të jemi solidarë”, Basha: Masat ekonomike dhe sociale të propozuara nga PD janë lehtësisht të zbatueshme

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka theksuar masat që duhet të marrë qeveria për të ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Kryedemokrati përmes një postimi në rrjetin social Twitter shkruan se le të jemi solidarë e të bashkuar në ndihmë të njeri-tjetrit.

“Masat ekonomike dhe sociale të propozuara nga PD janë të qarta dhe lehtësisht të zbatueshme për t’ju ardhur në ndihmë familjeve në nevojë dhe të moshuarve që jetojnë në kushte të vështira, dhe për të ndihmuar ekonominë.Le të jemi solidarë e të bashkuar në ndihmë të njeri-tjetrit”, shkruan Basha.

13:46 Korçë/ Gazetarja raporton me lot në sy: Në shkollën e vajzës, një mësues me koronavirus

Mësuesi i shkollës private “Omiros” në Korçë ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Gazetarja Lediona Xheladinaj raporton për abcnews.al se gjithçka është zbuluar pas një mesazhi që drejtuesit i kanë dërguar prindërve të nxënësve duke i njoftuar se një pjestar i stafit ishte i konfirmuar me koronavirus dhe tashmë ishte i shtruar në spital në Greqi. Gazetarja ka vajzën e saj në këtë shkollë, ndërsa gjatë raportimit live për Abc News shprehu edhe shqetësimin, pasi ajo dhe të gjithë prindërit e tjerë janë njoftuar me shumë vonesë.

“Unë jam edhe vetë prind që ka një fëmijë në shkollën ‘Omiros’ dhe thuhet se edhe stafi mjekësor është detyruar për të dërguar këtë sms në grup te prindërit për të patur kujdes. Nuk është dhënë anjë sqarim nga ana e drejtorisë se për kë mësues bëbet fjalë, është shtetas grek apo shqiptar. Duhet thënë se është një shqetësim ky për prindërit të cilët kanë mbetur të shtangur. Unë ju kërkoj ndjesë edhe për shqetesim që po përcjell në këtë lidhje direkte…sapo ka ardhur njoftimi”, th gazetarja, ndërsa nuk mban dot lotët.

Nisur nga kjo situatë prindërve dhe fëmijëve do u duhet të qendrojnë të izoluar pasi rrezikojnë të jenë të infektuar.

13:27 Qytetarët shkelin urdhrin e vetëizolimit në Durrës dhe në Sarandë, shëtisin në grup bregut të detit

Në Sarandë dhe në Durrës duket se moti ka favorizuar daljen e qytetarëve nëpër rrugë, duke bërë që ato ta thyejnë rregullin e vetëizolimit.

Gazetarja Silvi Sulaj raporton për ABC News se duket se izolimi i sarandiotëve zgjati vetëm një ditë pasi këtë të martë sarandiotët kanë dalë xhiro dhe duke bërë aktivitete të panevojshme. Ndërkohë që ka theksuar ndër të tjera se të mosuarit duket se janë dhe më të pabindurit ndaj këtyre rregullave, pasi duket se kanë dalë sërish pa maska dhe pa doreza dhe nuk respektojnë distancën.

Gjithashtu durrsakët duket se kanë shpërfillur masat e qeverisë dhe kanë dalë të shëtisin në breg të detit.

13:25 Mësuesi i shkollës private greke rezulton me koronavirus: Prindërit njoftohen pas një jave

Mësuesi i shkollës private “Omiros” në Korçë ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Gazetarja Lediona Xheladinaj raporton për abcnews.al se gjithçka është zbuluar pas një mesazhi që drejtuesit i kanë dërguar prindërve të nxënësve duke i njoftuar se një pjestar i stafit ishte i konfirmuar me koronavirus dhe tashmë ishte i shtruar në spital në Greqi.

Në mesazh, drejtoria i këshillon prindërit që të bëjnë kujdes pasi mund të jenë infektuar, edhe pse mundësia sipas tyre është e ulët.

Pjestari i stafit ka qenë më datë 14 mars për herë të fundit në shkollë dhe mund të ketë patur kontakte me nxënësit. Ky fakt, pra njoftimi pas një jave, i ka shqetësuar mjaft prindërit të cilët tashmë janë të irrituar me shkollën.

“Duke pasur parsysh dhe propabilitetin më minimal të një infeksioni të mundshëm, jemi të detyruar t’iu vëmë në dijeni që të jeni më vigjilentë në lidhje me shëndetin tuaj dhe të ndiqni udhëzimet e mëposhtme në rast se keni një prej shenjave të bëra publike e që lidhen me infektimin nga ky virus.
Më poshtë kemi udhëzimet e Organizmit Kombëtar të Shëndetit Publik”, shkruhet në njoftimin e shkollës.

12: 20 8 mjekë dhe infermierë të prekur, si u infektua stafi mjekësor i Senatoriumit

Ka shkuar në 55 numri i të infektuarve me koronavirus në Shqipëri, ku 38 prej tyre janë vetëm në Tiarnë.  Nga të dhënat e publikuara nga ministria e Shëndetësisë bëhet me dije se janë 8 mjekë dhe infermierë të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Sauk. Stafi mjekësor është në gjendje të mirë shëndetësore, por duhet të qendrojnë të izoluar.

Si u infektua stafi mjekësor në Senatorium:

Fillimisht në spitalin e Senatoriumit ishin dy të infektuar, por numri tashmë ka shkuar në 8. Në i sëmurë nga Lushnja i shtruar në Sanatorium për shqetësime të tjera, të palidhura me koronavirusin, dhe u vizitua para disa ditësh nga një i afërm i ardhur nga Italia.

Me sa duket dyshohet se i afërmi i të sëmurit ka qenë i infektuar nga koronavirusi, për pasojë ka infektuar edhe pacientin që ndodhej i shtruar.

Mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi” që i kanë shërbyer pacientit, i janë nënshtruar testit për Covid-19, pasi është mësuar se pacienti i shtruar, është vizituar nga i afërmi i ardhur nga Italia. Janë testuar 89 personel shëndetësor në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe prej tyre kanë rezultuar 8 mjekë dhe infermierë pozitivë.

Ndërkohë është e paqartë situata e të afërmit “vizitor”, nuk dihet se ku ndodhet, dhe se sa persona të tjerë mund të ketë kontaktuar pas ardhjes nga Italia.

Pacienti që ishte i shtruar në Sanatorium është transferuar në spitalin e infektivit në Tiranë.

12:05 Rritet numri i të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri, Sanatoriumi futet në karantinë

Ministria e Shëndetësisë ka publikuar të dhënat e reja mbi numrin e të prekurve nga koronavirusi në Shqipëri.

Mësohet se janë shënuar edhe katër raste të reja me koronavirus duke e çuar numrin total të të prekurve në 55. Mësohet se rastet e reja janë konstatuar në Tiranë dhe në Fier.

Tre persona janë në terapi intensive dhe njëri prej tyre, një 61 vjeçar nga Lushnja është intobuar.

Gjatë fjalës së saj Silva Bino njoftoi se spitali “Shefqet Ndroqi” do të kthehej në një spital Covid-19 bashkë me Infektivin.

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:
Tiranë 38 raste
Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)
Lushnje 2 rast
Elbasan 2 raste
Fier 6 raste
Rrogozhinë 2 raste

Prej tyre:
25 janë të shtruar në spitalin Infektiv (nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Lushja dhe Rrogozhina).

Prej tyre janë në terapi intensive tre qytetarë, njëri prej të cilëve në respiracion të drejtuar.
Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

11:20 245 shoferëve të pabindur u hiqet patenta për 3 vjet

Policia u ka hequr patentën për tre vjet 245 shoferëve gjatë 24 orëve të fundit, të cilat nuk i janë bindur urdhrit duke lëvizur në rrugë pa patentë.

Në disa qytete, jo vetëm që kanë dalë pa autorizim, por shoferët janë kapur duke drejtuar makinën në gjendje të dehur.

Në Cërrik një 40- vjeçar u kap duket drejtuar makinën në gjendje të dehur dhe mbi të gjitha ka kundështruar me forcë policinë Për pasojë ai është arrestuar, mbi të cilin rëndojnë akuzat për veprat penale ”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

Ndërkohë, një 29 vjeç me inicialet A. A në Fier, po drejtonte makinën në gjendje të dehur.

Në Dibër, është ndaluar një 23-vjeçar u kap duke drejtuar furgonin pa dokumentacion dhe pa patentë.

10: 50 Pas kërkesës për shumë teste, OBSH jep paralajmërimin e prerë për ata që janë prekur nga koronavirusi

Një mesazh i qartë dhe i prerë ai i drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë: për të frenuar pandeminë e koronavirusit duhen bërë sa më shumë teste. Ai paralajmëroi se nuk janë të rrezikuar vetëm të moshuarit pasi janë prekur dhe fëmijë dhe të rinj.

“Mesazhi jonë i qartë është: teste, teste, teste” tek cdo rast i dyshuar për koronavirus. Është kjo deklarata e prerë e drejtorit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë gjatë një konference të jashtëzakonshme për shtyp për situatën e krijuar në të gjithë botën.

Ai u shpreh se kjo është një krizë shëndetësore që shënon epokën tonë dhe javët e muajt në vazhdim do të jenë një sfidë dhe për sa i përket besimit tek shkenca. Si dhe një test për solidaritetin pasi kriza si këto nxjerrin në pah më të mirën dhe më të keqen tek njeriu.

Ai konfirmoi se bëhet fjalë për një sëmundje të rëndë dhe pse provat konfirmojnë se më të rrezikuarit janë ata 60 vjec e sipër, viktima ka pasur dhe tek të rinjtë.

Sipas OBSH-së përballë situatës së një përshkallëzimi të shpehtë të situatës, nuk ka pasur një reagim po aq të shpejt për sa i përket masave të izolimit social apo bërjes së testeve.

10: 25 Tirana “i bindet” urdhrit, nuk ka qytetarë në lulishte

Që prej ditës së djeshme hyri në fuqi akti normativ që ndalon grumbullimin e qytetarëve në parqe si dhe ndalimin e këmbësorëve pas orës 18:00.

Një ditë pas këtij vendimi që erdhi si pasojë e situatës së krijuar nga koronavirusi, gazetarja Xhensila Kodra dhe kamera e Abc News kanë bërë një vëzhgim se çfarë ndodh në kryeqytet.

Gazetarja thekson se nuk ka përqëndrim të qytetarëve në lulishte. Në terren janë sot forcat e policisë dhe ushtrisë të cilët bëjnë edhe shoqërimet e qytetarëve, kryesisht mosha e tretë që ulen për të pushuar ne parqe.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e personave që lëvizin sot në kryeqytet janë në këmbë si dhe biçikleta. Po ashtu policia vijon me patrullimet edhe për kontrollin e mjeteve të cilët lëvizin me leje të autorizuar.

10:01  Shisnin kafe, gjobiten disa furra dhe markete në Tiranë

Policia ka gjobitur gjatë ditës së sotme disa furra dhe markete sepse shisnin kafe pavarësisht mbylljes së bareve dhe restoranteve. Aksioni u krye sot në Tiranë pasi u konstatua se në disa zona shitej kafe duke mundësuar grumbullimin e qytetarëve.

09:35 Dy persona me koronavirus, policia bllokon fshatin në Roskovec

Policia dhe ISHP kanë futur në karantinë fshatin Mbërs të Roskovecit pas konfirmimit të dy personave me koronavirus.

Gazetarja Valbona Davidhi raporton për abcnews.al se policia ka ngritur dy postblloqe në hyrje dhe në dalje të fshatit duke mos lejuar askënd të dalë ose të futet.

Lëvizja po u lejohet vetëm makinave të autorizuara si edhe atyre që bëjnë furnizimin me ushqime.

Vendimi për izolimin e fshatit erdhi pas konfirmimit të dy bashkëshortëve me koronavirus. Fillimisht u konfirmua bashkëshortja 61 vjeçare dhe tre ditë më vonë edhe bashkëshorti i saj.

09: 01 “Më duket se kam koronavirus…”: Qytetarët thyejnë rregullat, paraqiten vetë tek Infektivi

Numri i personave të prekur me koronavirus është zyrtarisht 51 në Shqipëri, pasi u konfirmuan 9 raste të reja vetëm ditën e djeshme. Ndërkaq, gazetari Juxhin Mustafaraj në një lidhje direkte nga spitali Infektiv në Tiranë që është kthyer tashmë në karantinë, raporton se vijon papërgjegjshmëria e qytetarëve.

Siç shihet nga pamjet qytetarët të cilët kanë simptoma të ngjashme me Covid-19 vijojnë të shkojnë fizkisht pranë spitalit infektiv për të kërkuar ndihmë, duke u kthyer kështu në rrezik për shoqërinë por edhe për personelin.

Nga ana tjetër këtë mëngjes nuk ka patur paraqitje të ambulancave pranë spitalit me raste të dyshuara, por do të jetë ministria e Shëndetësisë ajo që do të japë të dhënat e fundit zyrtare.

08:25 Njëri me koronavirus, 15 ministra futen në karantinë

15 ministra të qeverisë polake janë futur në karantinë pasi u konfirmuar pozitiv me koronavirus një kolegu i tyre. Bëhet fjalë për ministrin e Mjedisit të Polonisë, Michal Wos, i cili doli pozitiv mbrëmjen e së hënës, shkruan abcnews.al.

Ministrat janë futur në karantinë pasi kishin zhvilluar një mbledhje qeverie më datë 10 mars.

Ndërkohë, mësohet se 9 nga 24 ministrat bashkë me kryeministrin nuk kishin qenë në atë mbledhje, kurse atyre që gjenden në karantinë u janë marrë tamponët dhe priten të dalin rezultatet, raporton BBC.

Polonia tani ka 177 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 4 të vdekur.

08:20 Vdiqën 349 persona, por e djeshmja mund të jetë një ditë e madhe për Italinë

Italia, shteti më i prekur nga koronavirusi në Evropë, regjistroi të hënën 3,233 raste të reja me koronavirus. Kështu, numri total i të prekurve nga Covid-19 në vend shkon në 27,980 persona duke e bërë Italinë vendin e dytë në botë më të prekur nga pandemia.

Në vend të parë qëndron Kina me 80,880 raste të konfirmuara.

Nga shifrat e njoftuara mbrëmjen e së hënës nga komisioneri për emergjencat, Angelo Borrelli në një konferencë për shtyp tregojnë se vetëm brenda 24 orëve në Itali kanë ndërruar jetë, jo pak, por 349 persona.

Por, edhe pse numrat vazhdojnë të mbeten të lartë, e vetmja gjë pozitive që u vu re sot është se të dielën numri i viktimave ishte më i madh dhe ka gjasa që virusi të ketë arritur kulmin dhe tani kurba të ketë filluar rënien.  Të dielën humbën jetën si pasojë e Covid-19, 368 persona. Pra, 19 persona më shumë se të hënën.

Gjithashtu, duket se kemi një ulje edhe në numrin e personave të infektuar brenda një dite.

Numri i personave të infektuar vetëm të dielën ishte 3,590 ndërsa gjatë ditës së sotme u regjistruan 3,233 raste të reja me koronavirus. Pra, të hënën u sëmurën 357 persona më pak se të dielën.

Sipas shembullit të Kinës, nëse shifrat vijojnë edhe sot të ulen, atëhere e djeshmja mund të cilësohet si një ditë shprese për Italinë edhe pse vdiqën 349 persona.

Ndoshta kjo mund të jetë një shenjë që kurba e epidemisë në Itali e ka arritur pikun dhe po vjen drejt uljes. Gjithsesi kjo mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim nëse trendi do të vazhdojë të jetë zbritës.

07: 45 Theu karantinën, 700 mijë lekë gjobë dibranit

Policia e Dibrës ka gjobitur një 27 vjeçar i cili ishte kthyer nga Italia dhe ka thyer rregullin e vetëkarantinit.

Sipas informacione bëhet me dije se 29 vjeçari E. S.,ishte kthyer nga italia me datë 03.03.2020 dhe është njoftuar nga specialisti i Policisë së zonës për vetëkarantinim 14-ditor, për shkak se vinte nga një zonë e prekur nga virusi COVID-19, gjë të cilën nuk e ka respektuar.

Gjatë kontrolleve që ka bërë, Policia ka konstatuar se ky shtetas ka frekuentuar ambiente të jashtme në fshatin e tij. Për shkeljen e kësaj mase Policia e ka ndëshkuar këtë shtetas, me masën administrative në vlerën 700.000 lekë.

07: 42 “Shqipëria në vetëizolim”, Ujësjellës Kanalizime Tiranë njofton se ku mund të paguhen faturat

Ujësjellës Kanalizime Tiranë, në kuadër të masave të marra nga qeveria për parandalimin e përhapjes së koronavirusit në vendin tonë ka bërë një njoftim për të gjithë abonentët.

Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat  UKT bën me dije se të gjithë abonentët se duke filluar nga data 17.03.2020, qytetarët do të mund të marrin shërbim vetëm në Zyrat Qendrore dhe Pika UKT rruga “Petro Nini Luarasi”, Tregu Elektrik dhe Pika UKT rruga “Bardhyl” nga ora 08:00-16:00.

Ndër të tjera në njoftimin e tij thekson se për kryerjen e pagesave të faturave të ujit qytetarët mund të përdorin këto kanale alternative: Aplikacionet Bankare  e-Banking, Easy Pay, Ëestern Union dhe AK Invest.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!