Gjykata e Apelit në Durrës nuk ndryshoi masën e sigurisë për dy ish drejtuesit kryesorë të ARRSH. Ajo la të njëjtën masë sigurie që ishte vendosur më parë nga gjykata e Elbasanit. Ndërsa Dashamir Xhika nuk ka pranuar të flasë në seancë për ndryshim të sigurisë, Andi Toma nuk e priti mirë vendimin.
Ish- kreu i ARRSH, Dashamir Xhika dhe Andi Toma, kërkuan ndryshim të masës së sigurisë në gjykatën e Apelit në Durrës, por trupa gjykuese la në fuqi masën “arrest me burg” të dhënë nga Gjykata e Elbasanit.
Ish- zyrtarët e lartë kanë apeluar vendimin e gjykatës së Elbasanit që disa jave me pare i la në arrest me burg. Xhika dhe Toma akuzohen për “shpërdorim detyre” në ndërtimin e rrugës Elbasan-Gjinar.
Xhika heshti në seancë, kurse Andi Toma, i akuzuari tjetër preferoi të flasë. Ai e quajti absurd arrestimin e tij. Faktet e paraqitura nga organi I akuzës për abuzimin në miliarda lekë janë të rreme, tha Toma.
Të njëjtën gjë pretendoi edhe avokati i të akuzuarëve duke kërkuar pavleshmëri të vendimit pasi është i paarsyetuar.
Gjykata e Apelit vendosi gjithashtu “detyrim paraqitje” për dy të ndaluar të tjerë të kësaj çështjeje Rezarta Bokçiu, administratore e shoqërisë “Arifaj” dhe Agron Hysa, administrator i shoqërisë “Vëllezërit Hysa”, të cilat janë përfshirë në punimet e rrugës Elbasan –Gjinar.
Për Bokçiun, problemet shëndetësore dhe vizita të shpeshta që duhet të kryeje, ishte arsyeja e mjaftueshme për ta lënë të lirë.
Të pranishëm në sallë krahas të pandehurëve ishin edhe familja të të tyre. Ata ndoqën nga afer apelimin e mases së sigurisë për rreth 3 ore.
Në të njëjtën kohë Dashamir Xhika dhe dy ish- vartës të tij, akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda edhe për abuzime në rrugën Tiranë-Elbasan.
Hetimet për këtë dosje nisën nga Organi i akuzës për krime të rënda pas kallëzimit nga KLSH në 2016, por edhe pas një kallëzimi tjetër nga Ministri i Infrastruktures dhe Energjisë Damian Gjiknuri disa muaj më parë./abcnews.al