“Imuniteti i tufës” është një frazë që përdoret zakonisht kur një numër i madh fëmijësh vaksinohen kundër një sëmundjeje, si fruthi për shembull, duke zvogëluar mundësinë që të tjerët të infektohen. Si taktikë për të luftuar një pandemi, për të cilën nuk ka vaksinë, është e re – dhe për disa është alarmante.
Ndryshe nga pjesa tjetër e botës, Mbretëria e Bashkuar po përdor këtë strategji për të luftuar koronavirusin. Në fakt, deklarata dhe vendimi i kryeministrit Boris Johnson u panë si paradoksale. Nga njëra anë ai tha se “vendi po kalon kohën më të errët” dhe “duhet të bëhen gati që do të humbasin njerëzit e dashur”, por nga ana tjetër refuzoi të merrte masa mbrojtëse. Mirëpo pas presionit të vazhdueshëm, Boris Johnson u detyrua të ndalonte grumbullimet e njerëzve.
Për të arritur imunitetin e tufës, rreth 60% e popullsisë do të duhet të sëmuret që të bëhet imun, sipas Patric Vallance, këshilltari shkencor i qeverisë. Megjithatë edhe shkencëtarët që e kuptojnë strategjinë janë në ankth. “Unë shqetësohem sepse mund të mos jetë më e mira që mund të bëjmë,” tha Martin Hibberd, profesor i sëmundjeve infektive në Londër.
Përmes kësaj strategjie, synohet që pjesa dërrmuese e popullsisë ta kalojë koronavirusin në mënyrë që të fitojë imunitet, ndërkohë që sistemi mjekësor merret vetëm me rastet më të rënda duke shmangur kështu kolapsin.
Mirëpo kjo strategji – e cila heq dorë nga testimi i gjerë, gjurmimi i kontakteve dhe izolimi i tyre – mund të rrisë rrezikun e infektimit të personave që përballen me probleme të mëdha shëndetësore.
Mbetet për t’u parë se si do të vijojë përhapja e Covid-19 në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse në kushtet kur nuk është krijuar vaksina, kjo strategji duket e rrezikshme.
ME NGJYRË BLU – NJERËZIT JOIMUNË, POR TË SHËNDETSHËM. ME NGJYRË TË VERDHË – NJERËZIT IMUNË DHE TË SHËNDETSHËM. ME NGJYRË TË KUQE – NJERËZIT JOIMUNË DHE NË RREZIK./abcnews.al