Futbolli është ndalur, por merkato nuk pushon kurrë. Drejtuesit e Juventusit vazhdojnë punën për gjetjen e elementëve cilësorë, të cilët do të përforconin skuadrën e Sarrit. Gonzalo Higuain do të largohet në fund të sezonit dhe shumë i nevojshëm afrimi i një sulmuesi të madh.
Bardhezinjtë kanë hequr dorë nga Mauro Icardi dhe janë përqendruar në Premier League. Dy emrat që ndodhen në krye të listës së dëshirave janë Harry Kane i Tottenham dhe Gabriel Jesus i Manchester City.
Kapiteni i Spurs dëshiron të luftojë për trofe dhe mungesa e kualifikimit në Champions për sezonin e ardhshëm do të sjellë largimin nga skuadra e Jose Mourinho. Për bomberin anglez ka një garë të fortë mes dy klubeve të Manchester, por Juventus do provojë shanset e veta.
Nëse nuk ia del, do të nisë ofensiva për Gabriel Jesus. 22-vjeçari brazilian është pjesë e “Cityznes” prej janarit të vitit 2017 dhe do të formonte një dyshe interesante me Cristiano Ronaldon. /abcnews.al