Partizani pësoi një tjetër humbje dhe nuk po arrin të lërë pas krahëve momentin e keq. Trajneri i “Demave”, Adolfo Sormani analizon ndeshjen e skuadrës së tij, momentin e keq dhe pranon për “Gol pas Goli” në Supersport se titulli është një çështje e mbyllur tashmë.
“Nuk kam dëshirë dhe nuk dua të komentoj asgjë rreth rasteve të dyshimta. Ky është futbolli. Ka raste kur prodhon shumë dhe merr pak. Kemi probleme në konkretizim, në aspektin individual. Mëkat, nuk mund të humbet një ndeshje e tillë. Mund të mos fitojmë, por nuk duhet të kishim humbur.
Vlerësimet ndaj meje i bëjnë drejtuesit, ata e dinë nëse jam trajneri i duhur. Nuk besoj se kjo skuadër i meriton këto rezultate që po merr. Kemi limite në konkretizim dhe personalitet. Unë marr përgjegjësi kur skuadra nuk prodhon lojë, por skuadra po prodhon dhe unë vazhdoj përpara.
Ndryshimet në formacion? Zgjedh në bazë të kundërshtarit, kishim edhe ngjeshje kalendari. E kam parë që skuadra nuk ka qenë mirë, por Broja më dha siguri në momentin që u fut në fushë. Sulmi? Jam profesionist, unë mund të sfidoj çdo skuadër tjetër në këtë kampionat për sa i përket rasteve të krijuara.
Objektiva të mbyllur? Është e sigurt që jemi jashtë garës për titull, nuk ka nevojë për përgjigje. Kjo skuadër nuk e meriton të jetë këtu ku është dhe që të ketë kaq diferencë me vendin e parë“, përfundon trajneri italian. /abcnews.al