Tirana fluturon me Ngoo. Bardheblutë mposhtin Laçin me rezultatin minimal 1-0 dhe e dërgojnë në 9 pikë diferencën me Kukësin e vendit të dytë, që nesër përballet me Skënderbeun në transfertë. Ekipi i drejtuar nga Emanuel Egbo e mirëpret një dhuratë nga korçarët. Nga ana tjetër, Laçi nuk bëri një ndeshje të keqe. Goli mund të ishte shmangur, por portieri Stajila vendosi të dalë dhe gaboi në atë moment. Një ndeshje e luftuar kjo e sotshmja, me Tiranën që në asnjë moment nuk e humbi durimin dhe ia doli të gëzonte në fund.
KATEGORIA SUPERIORE – JAVA 26
E diel, më 8 mars 2020, ora 17:00
TIRANA-LAÇI 1-0
Shënues: Ngoo 73’
TIRANA: Lika, Doka, Muça, Vangjeli, Hoxhallari, Batha, Çelhaka, Cobbinah, Torassa (Sidibe 78′), Ismajgeci (Halili 65’), Ngoo (Hasani 87′). Trajner: Emanuel Egbo
LAÇI: Stajila, Fangaj, Ignjatovic, Selmani, Turkaj, Shehu, Lushkja (Rapo 85′), Deliu, Xhixha, Greca (Prengaj 67’), Dembakwi Yomba (Marku 80′). Trajner: Armando Cungu.
Kartonë të verdhë: Selmani 30’, Stajila 61’ / Vangjeli 76’
NDESHJA -Tirana pati komandën në pjesën e parë, por ishte Laçi skuadra më e rrezikshme. Kurbinasit kërkuan të shënojnë përmes kundërsulmeve dhe mund t’ia kishin dalë. Greca dhe Xhixha u shfaqën rrezikshëm, ndërkohë që Ignjatovic u ndal nga shtyllë në minutën e 28-të.
Në shtesën e së parë kërcënoi edhe mbrojtësi Selmani, i cili me kokë e çoi topin jashtë kuadratit të portës së mbrojtur nga Ilion Lika. Kurbinasit ishin të qartë në lojë dhe nuk lanë hapësira, duke e arritur qëllimin për të mos pësuar.
E njëjta tablo edhe në fraksionin e dytë të lojës, me Laçin që pret dhe Tiranën që mundohet të ndërtojë sulme graduale drejt portës së bardhezinjve. Rastet mungojnë në shumicën e kohës, por ndeshja do të zhbllokohej në minutën e 73-të.
Pas një aksioni me shumë pasime, Tirana ia doli të realizonte me anë të sulmuesit Michael Ngoo. Anglezi shfrytëzoi daljen e gabuar të portierit Stajila dhe e dërgoi topin në rrjetë. Pak minuta më pas kryeqytetasit dolën rrezikshëm me Cobbinah, por moldavi i Laçit nuk e lejoi që topi të shkonte te Torassa, që vetëm duhet ta shtynte topin në rrjetë. Deri në fund nuk pati gola dhe Tirana iu gëzua fitores me rezultatin minimal 1-0. /abcnews.al