Auron Miloti, tri herë kampion me Tiranën në vitet 90-të, shprehet i lumtur që kryeqytetasit janë në krye të renditjes së Superligës. Ish-sulmuesi, sot në rolin e trajnerit, flet edhe për ekipin e qytetit të tij të lindjes, Vllazninë.
Prej disa kohësh ka veshur tutat e trajnerit. Ky është Auron Miloti, shkodrani që shkëlqeu me Vllazninë dhe sidomos me Tiranën, dhe që flet për dy skuadrat e zemrës, ndërsa ndodhet në Kompleksin e Kamzës, në kursin e trajnerit. Ish-sulmuesi, që doli tri herë kampion me kryeqytetasit në vitet 1995-1997, është i lumtur që ish-ekipi i tij është kthyer në krye, ndërsa flet për Abc News.
“Më pëlqen shumë këtë vit dhe më pëlqen se ekipi ku kam luajtur dha kam dal kampion, Tirana, është në vend të parë. Më vjen keq për ekipin e qytetit ku kam lindur dhe ku kam mësuar futbollin, Vllaznia. Shpresoj dhe uroj që deri në fund ta mbajnë të parë”, shprehet Miloti, i cili tregon edhe çfarë i pëlqen më shumë te bardheblutë.
“Më pëlqen grinta dhe dëshira për të luajtur futboll deri në minutën e fundit. Kjo është forca kryesore e Tiranës”, shton shkodrani në intervistën e dhënë për gazetarin e ABC News, Bledar Kuka. Miloti dëshiron të kujtojë disa nga emrat e brezit të madh të tij, 25 vjet më parë, ndërkohë që më pas shpreh keqardhje për Vllazninë.
“Gjithmonë them anët pozitive, për anët negative nuk kam qejf të flas. Më vjen keq vetëm për sportdashësit. Mendoj që të ndryshojnë sportistët, dëshira e tyre, grinta”, shprehet ish-futbollisti. Në Kamzë, Miloti përfundon nivelin më të lartë të trajnimit, UEFA Pro. E pyesim nëse dëshiron të drejtojë në Superligë?
“Jam duke ndjekur kursin e trajnerëve, UEFA Pro. Që prej 20 vitesh jetoj në Austri, kam luajtur si profesionist dhe tani punoj si trajner në kategorinë e katërt. Dëshira ime është që ashtu si futbollist, edhe si trajner të punoj në atdheun tim, Shqipërinë”, përfundon Miloti. /abcnews.al